Lajme

Çfarë fshihet pas deklaratës së Vuçiqit? Ish-ushtaraku zbërthen mesazhin dhe jep paralajmërimin e tij!

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka rikthyer në qendër të vëmendjes çështjen e Kosovës përmes deklaratave të tij të fundit, duke përsëritur qëndrimin e Beogradit se Kosova është pjesë e Serbisë.

Gjatë paraqitjes së tij publike, ai u shpreh se “Kosova është e jona dhe do të mbetet e jona”, ndërsa paralajmëroi se Serbia do të vazhdojë të investojë në forcimin dhe modernizimin e ushtrisë.

Deklaratat e Vuçiqit vijnë në një periudhë kur marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë mbeten të tensionuara, ndërsa dialogu për normalizimin e raporteve vazhdon të përballet me sfida dhe mosmarrëveshje të vazhdueshme.

Këto zhvillime kanë ngjallur reagime dhe kanë rikthyer në fokus debatin mbi sigurinë dhe stabilitetin në rajon.

E në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, ka folur ish-ushtaraku Hafir Hoxha.

Image
Hafir Hoxha

Hoxha vlerëson se deklaratat e Vuçiqit synojnë kryesisht të forcojnë pozicionin e tij politik brenda Serbisë, duke qetësuar opinionin e brendshëm, ndërsa njëkohësisht përpiqen të shmangin perceptimin se Serbia paraqet kërcënim për paqen dhe stabilitetin në rajon.

“Kjo deklaratë duket se i shërben kryesisht konsumit të brendshëm politik. Ajo vjen në një kohë kur udhëheqja serbe përballet me kritika dhe presion nga një pjesë e opinionit publik, i cili e akuzon se “e ka dorëzuar” ose “e ka shitur” Kosovën.

Për këtë arsye, herë pas here përdoren deklarata me tone më të ashpra për të qetësuar opinionin e brendshëm. Megjithatë, menjëherë pas tyre zakonisht përcillet edhe një mesazh tjetër: se Serbia nuk do të sulmojë askënd, nuk do të ndjekë apo kërcënojë askënd, do ta respektojë paqen dhe sigurinë në rajon dhe se askush nuk duhet të ndihet i rrezikuar”, u shpreh ai.

Tutje, ish-ushtaraku shtoi se deklaratat e Vuçiqit synojnë njëkohësisht opinionin e brendshëm dhe partnerët ndërkombëtarë, ndërsa Kosova duhet të mbështetet në vlerësime profesionale të sigurisë dhe të jetë e përgatitur për çdo skenar, pavarësisht retorikës politike.

“Këto deklarata mund të interpretohen si mesazhe me dy drejtime: nga njëra anë synojnë t’u flasin qarqeve nacionaliste brenda Serbisë, ndërsa nga ana tjetër u sinjalizojnë partnerëve ndërkombëtarë se Serbia dëshiron të paraqitet si faktor stabiliteti dhe se nuk synon të veprojë në kundërshtim me rendin rajonal.

Pavarësisht retorikës politike, institucionet e Kosovës duhet të vazhdojnë të punojnë mbi bazën e vlerësimeve profesionale të sigurisë dhe të jenë të përgatitura për çdo skenar të mundshëm. Planifikimi për variantin më të pafavorshëm është parim i zakonshëm i menaxhimit të sigurisë dhe nuk duhet të varet vetëm nga deklaratat publike të politikanëve”, përfundoi Hoxha për “Bota sot”.

Të Ngjashme