Në Babiloninë e Lashtë, mbizotëronin supat dhe ragutë. Historianët e ushqimit tani po përdorin testet e shijes për të rikuperuar shijet e tyre të harruara.
Askush s’e di me saktësi se nga kanë ardhur ato; për një kohë të gjatë, askush nuk e kuptonte ç’thoshin ato. Pllakëzat e vogla prej balte të mbuluara me shkrim kuneiform të dendur në formë pyke mendohej nga studiuesit e Universitetit të Yale-it se kishin të bënin me ilaçe. Të zbuluara në një gërmim arkeologjik në Lindjen e Mesme, ato ndoshta kanë qenë në koleksionin babilonas të Yale-it që nga viti 1911. Megjithatë, deri në fillim të viteve 1980, studiuesi francez Jean Bottéro më në fund kuptoi se çfarë thoshin pllakëzat. Në mënyrën e tyre të nënvlerësuar, për gati 4000 vjet, ata kanë folur për darkën.
Katër pllakëzat – më të mëdhatë në madhësinë e një cope sapuni, më e vogla, më shumë se një mijë vjet më e re, një grusht i rrumbullakët balte – janë të mbishkruara me përbërësit jo farmaceutikë, por të pjatave. Të datuara të paktën në vitin 1730 para Krishtit, tri pllakëzat më të mëdha përmbajnë kryesisht përshkrime të raguve; më e vogla, nga një periudhë e mëvonshme, flet për një lëng mishi.
Thjesht fakti i ekzistencës së tyre është një mister. Në Mesopotaminë e lashtë, njerëzit rrallë shkruanin për përgatitjen e ushqimit, tha Agnete Lassen, ndihmëskuratorja e koleksionit. “Nga qindra mijëra dokumente kuneiforme, ato janë të vetmet receta ushqimore që ekzistojnë”, tha ajo. “Ne nuk kemi një shpjegim.”
Dhe vërtet, në shumë tekste kuneiforme, kur qatipët e lashtë vendosin majë shkruese në baltë dhe skalisnin histori e tregime që përmendnin ushqimin, përdornin fjalë që ndonjëherë janë vetë misterioze për studiuesit modernë. Shfaqen përbërës, identiteti i të cilëve nuk dihet ende, tha Gojko Barjamovic, një asiriolog në Universitetin e Harvardit. Asum është mërsinae, salu është mendra, por çfarë është hurriumi? Leximi vetëm i listës së erëzave të panjohura, nga një punim i Barjamovic-it, Lassen-it dhe bashkëpunëtorëve të tyre, sjell në mendje vizionet e një kopshti të humbur, të vendosur midis lumenjve Tigër dhe Eufrat: Kurullu, kuruš, nīnu. Silaru, zanzar, zibibianu.
Pllakëzat kulinare të Yale-it, siç njihen katër pllakëzat prej balte, kanë të njëjtin supozim kurioz si shumë receta, të lashta apo moderne: shkrimtari pret që lexuesi praktikisht ta dijë tashmë se për çfarë synojnë. Udhëzimet janë të shkurtra, të prera. Dhe siç ndodh me shumë receta të vjetra, nga të gjitha periudhat e marrëdhënies njerëzore me kuzhinën, sasitë nuk janë të specifikuara.
Me tërë këto që ndodhen mes nesh dhe përvojës së darkës në Babiloni shumë, shumë kohë më parë, mund të jetë e vështirë të imagjinohet qartë se si ishte ushqimi. Por disa vite më parë, Barjamovic-i, Lassen-i dhe kolegët e tyre, duke përfshirë historianin irakian të ushqimit Nawal Nasrallah, bënë disa gjeste në këtë drejtim. Ata përditësuan përkthimet e recetave të bëra nga Bottéro, duke përdorur kuptime të reja të disa fjalëve. Ata kryen eksperimente të kujdesshme, duke ndryshuar përbërësit një nga një.
Ata mund të eliminonin një përbërës të mundshëm për shkak të faktit se e bënte pjatën që rezultonte në mënyrë të padurueshme të hidhur, deri në atë pikë sa nuk dallohej asnjë nga erëzat e tjera të përdorura me kujdes. Ndërsa është e mundur që ky ishte efekti i synuar, nuk duket e mundshme.
Por është e habitshme, sepse ragutë dhe lëngjet e mishit përbëjnë tërësinë e recetave, ka vënë në dukje Nasrallahu, autor i librit të gatimit Delights from the Garden of Eden. Raguja – mish dhe perime në lëng mishi – është një element kryesor i ushqimit modern irakian. Ishte gjithashtu një tipar kryesor i ushqimit në Irakun mesjetar, i përshkruar në një libër gatimi të shekullit të 10-të që Nasrallahu ka përkthyer. Dhe kur grupi hulumtues përgatiti përkthimet e tyre të përditësuara dhe të testuara të katër prej recetave të tabletave të kuzhinës, ata dhanë diçka që duhet të jetë së paku ripërtëritëse e asaj tradite shumë kohë më parë.
Ja si bëhet një nga ragutë: për ragunë e qengjit të njohur si tu’hu, fillimisht merrni ujë. Më pas skuqni mishin e pjesës së këmbëve në yndyrë. Hidhni kripë, birrë, qepë, rukola, koriandër, qepë persiane, qimnon, panxhar, ujë. Presh dhe hudhra të shtypura dhe më shumë koriandër, për një shije të zjarrtë. Më pas hidhni kurrat, një presh egjiptian. Panxhari e kthen atë në një të kuqe t ndezur dhe nga të katërt, është e preferuara e Lassen-it. “Është pikante dhe me erëza shumë të këndshme”, tha ajo. “Ka shije të mira.”
Edhe me gjithë këtë kujdes, mbetet fakti se shijet e njerëzve mund të kenë qenë krejt të ndryshme në atë kohë. Një shembull i famshëm i një ushqimi që nuk është aq i popullarizuar në anën e largët të disa mijëvjeçarëve është salca romake garum – kjo substancë e fuqishme umami e fermentuar nuk është pjesë e zakonshme e kuzhinës moderne italiane. Studiuesit e pranojnë këtë vështirësi: përdorimi i shijeve dhe përshtypjeve të njerëzve të gjallë sot për t’u përpjekur të vendosin kufijtë se cilave pjata u ngjan kjo shije e vjetër është një ndërmarrje e vështirë.
Mes asaj kohe dhe tani, Islami mbërriti gjithashtu në Lindjen e Mesme, duke e bërë mishin e derrit një përbërës më pak të popullarizuar, dhe shkëmbimi kolumbian (tregtia midis Amerikës dhe Europës nga shekulli i 15-të) solli domate, patëllxhanë dhe patate nga Bota e Re. Kuzhina moderne irakiane nuk është një kopje e asaj që hahej në Babiloni.
Kush e di nëse, pas 3000 vjetësh, njerëzit e ulur aty ku jeni tani do të hanë diçka të ngjashme me atë që keni sot? Në një sistem ushqimor modern, ku ajo që hamë nuk varet veçanërisht nga vendi ku jemi, duket sikur lidhja midis ushqimit dhe gjeografisë lokale ka avulluar.
Mijëra vjet nga tani, pas shumë ndryshimeve, ndoshta ajo lidhje do të jetë kthyer. Ndoshta klima do të jetë aq e ndryshme sa në Ishujt Britanikë do të rriten thjerrëzat. Ndoshta në atë që dikur ishte Siberia do të ketë një lulëzim të biznesit të arrës së kokosit.
Barjamovic-i thekson se për sa u përket këtyre recetave të lashta, historia gjithashtu nuk ka përfunduar. Çdo sezon i fushës arkeologjike sjell me vete mundësinë e gërmimit të teksteve të reja, duke hedhur dritë të re mbi fjalët misterioze për erëza dhe përbërës të tjerë. Mënyra e të menduarit mesopotam nuk u kopjua apo u transmetua si tekstet greke. Ai doli jashtë njohurive njerëzore në shekullin I para Krishtit. “Por duke qenë se ata shkruan në baltë,” tha ai, “është atje në tokë, e pathyeshme.”/ BBC – Syri.Net