Sport

Çfarë ndodhi në Crans-Montana? Zjarri i Vitit të Ri shkaktoi rreth 40 viktima

Festimet e Vitit të Ri në Zvicër u kthyen në një tragjedi të rëndë, pasi një zjarr i fuqishëm shpërtheu në orët e para të mëngjesit në një resort luksoz skish në Crans-Montana, duke shkaktuar dhjetëra viktima dhe rreth 100 të plagosur, sipas autoriteteve zvicerane.

Zjarri nisi rreth orës 01:30 në barin “Le Constellation”, i vendosur në zemër të resortit dhe shumë pranë stacionit të teleferikut, njoftoi policia e kantonit Valais. Lokali ka kapacitet deri në 300 persona dhe në momentin e incidentit brenda ndodheshin rreth 100 persona, ndërsa disa dëshmitarë flasin për deri në 200 festues.

Sipas dëshmive të mbledhura nga media franceze BFMTV, zjarri mund të jetë shkaktuar nga fishekzjarrë të vendosur mbi shishe shampanje, të cilat gjatë festës u afruan shumë pranë tavanit.

“Flakët u përhapën brenda pak sekondash. Tavani mori flakë dhe i gjithë lokali u përfshi nga zjarri. Njerëzit u përfshinë nga paniku dhe tentuan të dilnin me çdo kusht”, tregoi një dëshmitar okular.

Autoritetet kanë përjashtuar mundësinë e një akti terrorist dhe po e hetojnë ngjarjen si zjarr aksidental. Prokurorja Béatrice Pilloud theksoi se është ende herët për të përcaktuar shkakun e saktë dhe se hetimet do të vijojnë.

Ende nuk ka një shifër zyrtare përfundimtare për numrin e viktimave. Policia zvicerane konfirmoi se “dhjetëra persona dyshohet se kanë humbur jetën”. Ministria e Jashtme e Italisë, duke iu referuar burimeve zvicerane, bëri me dije se rreth 40 persona kanë vdekur, ndërsa identifikimi i viktimave mbetet i vështirë për shkak të djegieve të rënda.

Presidenti i Këshillit të Shtetit, Mathias Reynard, e cilësoi ngjarjen si një “makth”, ndërsa presidenti zviceran Guy Parmelin shprehu ngushëllimet për familjet e viktimave dhe shtyu fjalimin tradicional të Vitit të Ri në shenjë zie.

Mesazhe ngushëllimi erdhën edhe nga liderë ndërkombëtarë, përfshirë presidentin francez Emmanuel Macron. Autoritetet franceze konfirmuan se dy shtetas francezë ndodhen mes të plagosurve.

Zona përreth incidentit është mbyllur, operacionet e emergjencës vijojnë dhe mbi Crans-Montana është vendosur ndalim fluturimi.

/tiranapost

Të Ngjashme