Puntata e mbrëmshme e emisionit “Fake Off” në Vizion Plus, drejtuar nga aktorët e humorit Agron Llaka dhe Xhevahir Zeneli, ka lënë të kuptohet se marrëdhënia mes vëllezërve biznesmenë Dulaku dhe kryebashkiakut Erion Veliaj është krisur, shkruan newsbomb.al.
Emisioni është karakterizuar nga një vënie në lojë e të parit të Tiranës dhe satirë e fortë me deklaratat alla politiko-kardioligjike të politikanit socialist, gjatë daljeve publike në media.
Fraza të pakuptimta, që herë lënë të kuptohet se ai që po ju flet qytetarëve është një mjek kardiolog, i cili ju shpjegon gjatësinë në centimetra të arterieve që shkojnë në tru, e herë një bujk që i ndërthur ato me kanalet kulluese të tokave, por jo kryebashkiaku.
Në fakt, Erion Veliaj i ka shprehur edhe më parë gjatë daljeve në mediat e shumta që i kanë garantuar hapësirë televizive të tilla absurditete, por nxjerrja në pah mbrëmë dhe satira deri në tallje ekstreme e Gonit dhe Xhefrit, tregon se raportet mes “të mëdhenjve” janë krisur.
Nuk dihet se çfarë ka ndodhur mes vëllezërve biznesmenë e ndërtues Dulaku, të cilët drejtojnë televizionin kombëtar Vizion Plus dhe asete të tjera mediatike, dhe kryebashkiakut Erion Veliaj, ndaj s’na mbetet gjë tjetër veçse të presim “kur t’i dalë flaka”.
Tre vëllezërit, Artani, Adriani dhe Genci Dulaku janë përfolur disa herë për lidhje të ngushta me Partinë Socialiste dhe kreun e saj Edi Rama, gjatë kohës që ishte kryebashkiak i Tiranës dhe po ashtu me kryebashkiakun aktual Erion Veliaj.
Megjithatë, ata i kanë përgënjeshtruar akuzat duke i cilësuar fushatë shpifjesh dhe të motivuara politikisht, duke garantuar se i shërbejnë vetëm publikut dhe të vërtetës, shkruan newsbomb.al.
Të qeshurat dhe satira e dy aktorëve e tregojnë më së miri situatën e kryebashkiakut të Tiranës, si dhe raportin e ri me vëllezërit Dulaku, ndaj ne ju ftojmë të dëgjoni një pjesë nga emisioni në Vizion Plus, duke nisur nga minuta 12.20 e në vazhdim ose (KLIKO KËTU)
A ju ndihmoi ky artikull?PoJo