Lajme

Çitaku–Kurtit: Ti kërkon nënshtrim, PDK nuk nënshtrohet

Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, i ka reaguar kryeministrit Albin Kurti pas deklaratave të tij se sjelljet e opozitës janë joshtetërore dhe anti-institucionale.

Në një konferencë për media, Kurti ka akuzuar opozitën për bllokim të qëllimshëm të funksionimit të institucioneve.

Ndërkaq, përmes një postimi në Facebook, Çitaku ka kundërshtuar këto deklarata, duke theksuar se opozita ka mbështetur procese të rëndësishme shtetërore.

Ajo ka bërë të ditur se, sipas saj, opozita ka votuar pa kushte zgjatjet buxhetore dhe marrëveshjet ndërkombëtare, madje edhe me procedura të përshpejtuara.

“Nëse ka një njeri që nuk e njeh rezultatin zgjedhor në Kosovë, ai je ti. Falë atij rezultati, ti e udhëheq Qeverinë dhe Kuvendin. Po 51% nuk janë 100%. Si opozitë, pa asnjë kusht, kemi votuar zgjatjet buxhetore dhe marrëveshjet ndërkombëtare, përfshirë edhe dje, madje edhe me procedurë të përshpejtuar”, ka shkruar Çitaku.

Ajo ka theksuar më tej se sjellja shtetërore dhe respektimi i Kushtetutës dëshmohen përmes veprimeve aktuale dhe jo vetëm nga e kaluara.

“Kush është shtetar, institucionalist dhe respekton Kushtetutën, nuk dëshmohet vetëm nga e kaluara e largët, por mbi të gjitha nga veprimet e sotme”, ka shtuar ajo.

Në reagimin e saj, Çitaku ka akuzuar Kurtin për mungesë të bashkëpunimit dhe kompromisit, duke shtuar:

“Ti kërkon nënshtrim. Dhe PDK nuk nënshtrohet.”

Në fund, ajo ka paralajmëruar se nuk do të lejojnë, siç është shprehur, cenimin e rendit kushtetues, duke theksuar se shteti është ndërtuar me sakrificë dhe duhet mbrojtur.

“Si shkelës serik i Kushtetutës, nuk e ke problem ta përmbysësh edhe rendin Kushtetues. Por këtë nuk do ta lejojmë. Ky vend dhe kjo Republikë janë ndërtuar me mund e me gjak. Dhe nuk do të lejojmë që të shkatërrohen”, ka përfunduar Çitaku./teve1.info/

Të Ngjashme