Ushtruesja e detyrës së kryetares së PDK-së, Vlora Çitaku, ka përkujtuar Zahir Pajazitin në 64-vjetorin e lindjes.
Në një postim, Çitaku ka shkruar se qëndrimi i shtatores së tij i jep frymëzim dhe shpresë.
“Sa herë e shoh shtatoren e Zahir Pajazitit, më frymëzon ai hap përpara. Ka diçka të vendosur e plot jetë në atë qëndrim, sikur gjithmonë ka një rrugë për të vazhduar e një punë të mirë për të bërë për vendin”, ka shkruar ajo.
Çitaku e ka cilësuar Pajazitin si një ndër pushkët e para të lirisë, duke theksuar se ai mbetet përherë i ri në kujtesën kombëtare.
“Një ndër pushkët e para të lirisë, që vazhdon të na japë zemër edhe nga përjetësia. Sepse heronjtë nuk vdesin kurrë. Ata kanë vetëm ditëlindje. Urime 64-vjetorin e lindjes, trimi ynë!”, ka shkruar Çitaku.
Më 31 janar 2008, në 11-vjetorin e rënies, ish-presidenti Fatmir Sejdiu i akordoi Zahir Pajazitit dekoratën më të lartë shtetërore të Kosovës, Urdhrin Hero i Kosovës.
Me rastin e shënimit të ditëlindjes së heroit Zhair Pajaziti, sot Komuna e Podujevës, në bashkëpunim me shoqatat e dala nga lufta organizojnë ceremoni përkujtimore në Kompleksin Memorial në Orllan. Po ashtu, Ramush Haradinaj do të nderojë figurën e heroit Zahir Pajaziti, pranë shtatores së tij në Prishtinë.
