Lajme

Gërvalla reagon sërish për rastin e Arlinda Zekajt: Prokuroria ishte informuar për kërcënimet që nga 10 korriku

Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, ka reaguar sërish lidhur me vrasjen e Arlinda Zekajt, duke rikthyer vëmendjen te përgjegjësia e Prokurorisë për trajtimin e rasteve të raportuara nga viktima para se të vritej.

Përmes një postimi në Facebook, Gërvalla ka bërë të ditur se Prokuroria ishte e informuar për dhunën dhe kërcënimet ndaj Arlinda Zekajt që nga 10 korriku.

Ajo ka theksuar veçanërisht faktin se më 23 tetor, vetëm dy ditë para vrasjes së saj, edhe kryeprokurorja ishte informuar me shkrim për një kërcënim të drejtpërdrejtë me vrasje që Arlinda kishte raportuar nga Albert Sylaj.

Gërvalla: Arlinda Zekaj nuk u vra pa paralajmërime, institucionet kishin informacione për rrezikun ndaj jetës së saj

Ky reagim vjen pas publikimit të raportit të Ministrisë së Drejtësisë, të prezantuar më 30 tetor nga Gërvalla dhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, lidhur me veprimet dhe mosveprimet e institucioneve në rastin e Arlinda Zekajt.

Sipas gjetjeve të paraqitura nga ministrja, pavarësisht informacioneve për rrezikun që i kanosej viktimës, prokurorja përgjegjëse kishte refuzuar të hapte rast për kanosje.

Po ashtu, raporti evidentonte mangësi në trajtimin e rastit nga disa institucione të tjera.

Ndërkohë, lidhur me rastin janë suspenduar dy prokurore, përfshirë kryeprokuroren e Pejës, Lumturije Vuçetaj dhe prokuroren Arlinda Nallbani-Gacaferi.

“Për ju është rutinë, për mua është jetë” – publikohet letra e Arlinda Zekajt drejtuar gjyqtarit Migjen Kastrati

Ndryshe sot, u bë publike një tjetër letër e Arlindës e cila i drejtohej gjyqtarit të Gjykatës Themelore në Pejë, Migjen Kastrati.

Në letrën e publikuar e cila mban datën 7 shtator 2026, Arlinda Zekaj shpreh shqetësimet e saj lidhur me sigurinë personale dhe të fëmijës, duke kërkuar trajtim të çështjeve që lidhen me mbrojtjen dhe kujdestarinë e fëmijës.

Ajo i drejtohet gjyqtarit me një mesazh të drejtpërdrejtë, ku thekson rëndësinë që kanë për të vendimet që merren nga institucionet e drejtësisë.

“Për ju është rutinë, për mua është jetë dhe veç Zoti e di pse ty të ka zgjedhë të shpëtosh jetë”, kishte shkruar e ndjera.

Vrasja e Arlinda Zekajt më 25 tetor në Vitomiricë të Pejës ka nxitur reagime të shumta dhe kërkesa për përgjegjësi institucionale, veçanërisht për mënyrën se si janë trajtuar paralajmërimet dhe kërkesat e saj për mbrojtje.

Të Ngjashme