Kandidati i Aleancës për deputet, Tahir Çitaku, ka deklaruar se Lëvizja Vetëvendosje po bën propagandë me diasporën për qëllime politike.
Në emisionin “Info Nata” në Tëvë1, ai ka thënë se qytetarët duhet të dinë ta dallojnë propagandën nga realiteti dhe të vendosin me kujdes se kujt do t’ia japin votën.
“Qytetari duhet ta dijë ta ndajë shapin nga sheqeri, sepse propaganda është gjithmonë mjet i një subjekti politik për të arritur një qëllim. Po bëhet shumë, e jo pak, propagandë me diasporën nga partia në pushtet”, ka deklaruar Çitaku.
Sipas Çitakut, integrimi i shqiptarëve në vendet ku jetojnë ka përparuar pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, ndërsa shtoi se përçarjet politike nuk i shërbejnë interesit të qytetarëve.
“Unë, si njohës i mirë i kësaj fushe dhe si njëri ndër fituesit e parë të çmimit për integrim në vitin 1998, gjatë luftës në Kosovë, vlerësoj se integrimi i shqiptarëve në vendet ku jetojnë ka avancuar pas shpalljes së pavarësisë. Ndërkohë, Vetëvendosje është përfshirë në propagandë politike dhe ka nxitur përçarje, të cilat nuk janë aspak të mira”, ka shtuar ai.
Ai u ka bërë thirrje votuesve të mbështesin politikanët që komunikojnë, bashkëpunojnë dhe krijojnë aleanca, duke theksuar se këto qasje janë në të mirë të të gjithë qytetarëve.
“Duhet ta dijë qytetari ynë ku të shkojë të votojë: a dëshiron të votojë dikë që komunikon, bën aleanca dhe nuk fyen askënd, dhe të gjitha këto i shërbejnë tërësisë së qytetarëve, apo dikë tjetër që i shërben vetëm një subjekti ose një individi që dëshiron të arrijë diçka. Pra, a dëshirojmë ne diçka që na shërben të gjithëve”, ka përfunduar Çitaku./teve1.info/
