LifeStyle

Çmimi i pabesueshëm – VIDEO/ Villa Certosa, vila ikonike e Berluskonit në Sardenja i shitet familjes mbretërore të Katarit

Villa Certosa, rezidenca e famshme në Gallura e ish-kryeministrit italian Silvio Berlusconi, është blerë nga dinastia mbretërore e Katarit për 350 milionë euro.

Sipas agjencisë italiane të lajmeve Adnkronos, kompania Immobiliare Idra, pjesë e grupit Fininvest, ka konfirmuar se ka pranuar një ofertë detyruese për shitjen e pronës.

Lajmi ishte paraprirë nga gazetat italiane La Nuova Sardegna dhe Corriere della Sera, të cilat kishin raportuar se negociatat kishin hyrë në fazën përfundimtare. Që nga 12 qershori 2023, dita e vdekjes së Berlusconit, kishin qarkulluar emra të ndryshëm si blerës të mundshëm, përfshirë sulltanin e Bruneit, miliarderë arabë dhe zinxhirë të mëdhenj hotelesh.

Tashmë marrëveshja është mbyllur: nga familja Berlusconi, e cila fillimisht e kishte nxjerrë në shitje për 500 milionë euro, Villa Certosa kalon në pronësi të familjes Al Thani, dinastia mbretërore që drejton Katarin prej më shumë se 150 vitesh.

Familja Al Thani ka realizuar prej kohësh investime të rëndësishme në Gallura, duke përfshirë pjesëmarrjen në zhvillimin e Costa Smeralda përmes Qatar Foundation, si dhe investimin në Mater Olbia Hospital, ish-spitalin San Raffaele. Tani këtyre investimeve u shtohet edhe blerja e vilës luksoze.

Transaksioni është realizuar përmes kompanisë Constellation Hotels Holding Ltd SCA, një shoqëri investimesh me seli në Luksemburg, e cila përfaqëson krahun e investimeve të pasurive të paluajtshme të familjes mbretërore të Katarit në Evropë dhe në tregjet ndërkombëtare. Ajo lidhet veçanërisht me Hamad bin Jassim Al Thani, i cili shërbeu si ministër i Jashtëm dhe kryeministër i Katarit nga viti 2007 deri në vitin 2013.

E vendosur përballë Gjirit të Marinellës, Villa Certosa konsiderohet një nga pronat private më luksoze në Itali. Në këtë rezidencë kanë qëndruar krerë shtetesh dhe qeverish, aleatë politikë të Berlusconit dhe sipërmarrës të njohur ndërkombëtarë.

Prona është e rrethuar nga një park i madh dhe përfshin shtatë pishina të jashtme, një spa, vila për mysafirët, cottage, fusha futbolli dhe golfi, kënde lojërash për fëmijë, një kopsht me bimë medicinale, Grottën e Neptunit, heliport, një vullkan artificial, bunker atomik dhe një zonë të dedikuar për talasoterapi.

Të Ngjashme