LifeStyle

Ndryshimi i papritur – Legjenda kolumbiane ndryshon pamje, Carlos Valderrama heq dorë nga flokët ikonë pas dekadash

Carlos Valderrama, një prej futbollistëve më të dallueshëm të viteve ’90, ka surprizuar tifozët duke rruar kokën dhe duke hequr dorë nga modeli i flokëve kaçurrela që e shoqëroi gjatë gjithë karrierës.

Ish-ylli i kombëtares së Kolumbisë, tashmë 65 vjeç, ka vendosur t’i japë fund një prej tipareve më karakteristike të imazhit të tij. Këtë herë, ishte bashkëshortja e tij, Elvira Redondo, ajo që mori makinën e qethjes dhe i preu flokët legjendarë.

Momenti i veçantë u publikua nga vetë Valderrama në Instagram, ku ai shoqëroi videon me mesazhin: “Njerëzit e mi, sot është dita”.

Përpara se të niste transformimi, bashkëshortja e pyeti nëse ishte gati për këtë ndryshim. Përgjigjja e ish-futbollistit, e shoqëruar me një gjest që tregonte pasiguri, ishte “pak a shumë”. Megjithatë, ai e përballoi me buzëqeshje procesin, deri në momentin kur pamja e tij ndryshoi plotësisht.

Redondo nuk i kurseu as batutat, duke komentuar se si do të reagonin nipërit dhe mbesat kur ta shihnin gjyshin pa flokët e tij të famshëm. Në fund, ajo e prezantoi me humor pamjen e re të bashkëshortit, duke e quajtur “Valderrama tullaci”.

Image

Refuzoi 2 milionë dollarë për të mos i prerë flokët

Flokët kaçurrela kanë qenë për dekada pjesë e identitetit të Valderrama-s, duke e bërë atë një nga figurat më të njohura të futbollit botëror. Në fund të viteve ’80 dhe gjatë viteve ’90, kolumbiani spikati jo vetëm për pamjen e tij, por edhe për pasimet e sakta dhe teknikën e shkëlqyer.

Madje, sipas asaj që kishte treguar vetë në prill, përpara Kupës së Botës 1994 ai kishte refuzuar një ofertë prej 2 milionë dollarësh për të prerë flokët e tij karakteristikë.

Ende nuk dihet arsyeja që e shtyu të ndërmerrte këtë ndryshim pas kaq shumë vitesh. Megjithatë, reagimet e tifozëve në rrjetet sociale kanë qenë kryesisht pozitive.

“Kur je i pashëm, je i pashëm. Të shkon shumë”, shkroi një tifoz, ndërsa një tjetër komentoi: “Legjendë me apo pa flokët e famshëm”.

Pavarësisht pamjes së re, Valderrama mbetet një nga emrat më të mëdhenj të historisë së futbollit kolumbian, i kujtuar për talentin, stilin e veçantë dhe paraqitjet me kombëtaren në skenën ndërkombëtare.

Image

Të Ngjashme