Tragjedia në Malishevë ka marrë një tjetër dimension dhimbjeje, pasi janë bërë publikë edhe emrat e viktimave që humbën jetën nga zjarri që përfshiu një banesë në lagjen “Mirëdita”.
Kryetari i Komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati, ka reaguar për ngjarjen e rëndë, duke e cilësuar atë si një dhimbje të papërshkrueshme për gjithë komunitetin.
Sipas tij, viktimat janë Ilir Berisha, 35 vjeç, dhe dy fëmijët e tij të mitur, vajza Naile dhe djali Kujtimi, të cilët ndodheshin në banesë në momentin kur shpërtheu zjarri, që dyshohet të jetë shkaktuar nga një bombol gazi.
“Me pikëllim të thellë mora lajmin për tragjedinë e rëndë që ndodhi në lagjen Mirdita në Malishevë, ku humbën jetën Ilir Berisha dhe dy fëmijët e tij, vajza Naile dhe djali Kujtimi. Kjo është një humbje e madhe dhe një dhimbje e papërshkrueshme për familjen, miqtë dhe gjithë komunitetin tonë. Në emër të Komunës dhe në emrin tim personal, shpreh solidaritetin dhe mbështetjen tonë në këto momente të vështira”, u shpreh Kastrati.
Ai shtoi se institucionet përkatëse janë duke u marrë me rastin dhe se pritet që shkaqet e kësaj ngjarjeje tragjike të zbardhen sa më shpejt.
Ngjarja është regjistruar rreth orës 13:00, ndërsa në vendin e ngjarjes kanë ndërhyrë menjëherë njësitë policore, zjarrfikësit dhe ekipet emergjente. Tre viktimat u dërguan fillimisht në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Malishevë, ku u konstatua se ishin pa shenja jete.
Tragjedia në Malishevë: Babai me fëmijët dyshohet se ishin në gjumë kur shpërtheu zjarri
Dyshohet se në momentin e ngjarjes 35 vjeçari me fëmijët (djalë e vajzë) kishin qenë brenda banesës në gjumë.
E në banesë nuk ishin edhe tre fëmijët e tjerë të kësaj familjeje.
Dyshohet se zjarri ka ardhur si pasojë e kabllove të rrymës, por që ende nuk është konfirmuar zyrtarisht pasi u hetuar dhe pista e gazit
Me urdhër të prokurorit të shtetit, trupat e pajetë janë dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion, ndërsa hetimet vijojnë për të sqaruar plotësisht rrethanat dhe shkakun e zjarrit.
Tragjedia ka tronditur thellë banorët e zonës, ndërsa mesazhe ngushëllimi dhe solidariteti vijojnë të vijnë për familjen Berisha, që humbi tre anëtarë në këtë ngjarje të rëndë.
