Lajme

Debatet te Komisioni i Medias, Nikolla: Noka e Bardhi ushtruan dhunë ndaj koleges

Kryetarja e Kuvendit Lindita Nikolla ka reaguar lidhur me tensionet e krijuara ditën e sotme në Komsionin e Mediave. Sipas Nikollës, dy deputetët opozitarë, Bardhi dhe Noka fyen rëndë kryetaren e komisionit dhe ushtruan dhunë ndaj një kolegeje.

Dënoj ngjarjen e rëndë në Komisionin e Medias. Noka dhe Bardhi penguan zhvillimin e mbledhjes. Të dy deputetët fyen rëndë kryetaren e komisionit dhe ushtruan dhunë ndaj një kolegeje”, shprehet Nikolla.

Komisioni i Edukimit për Mjetet e Infomimit publik është zhvilluar sot me debate, ofendime dhe përplasje verbale mes deputetëve pjesëmarrës. Kryetarja e këtij komisioni, Flutura Açka dhe deputeti demokrat Gazment Bardhi ishin protagonistët e debatit që degradoi në sharje dhe ofendime.

Përplasja mes Bardhit dhe Açkës nisi për shkak se Bardhi akuzoi Açkën se kjo e fundit është kthyer në zërin e kryeministrit Rama, dhe se ka lënë mënjanë interesat e Partisë Demokratike. Në debat e sipër Bardhi i tha Açkës të mos “bëhet fasadë e Evis Kushit, Suel Çelës dhe bandave të Elbasanit.”

Akuza e Bardhit ka revoltuar Açkën, e cila i ka kujtuar Bardhit ngjarjen e ndodhur pak ditë para zgjedhjeve të 25 prillit të 2021-it në Elbasan, ku Bardhi ishte aso kohe drejtues i fushatës elektorale të Partisë Demokratike  në Elbasan.

Açka i tha Bardhit se “ai e di shumë mirë çfarë mëkatesh ka”, duke iu referuar  përplasjes për votat që solli  vrasjen e Pjerin Xhuvanit eksponent i Partisë Socialiste, i cili u qëllua për vdekje me armë zjarri nga Arbër Paplekaj, shoqërues i Gazment Bardhit.

Gazment Bardhi asokohe ishte kryesuesi i listës së Elbasanit dhe sekretar i Përgjithshëm i Partisë Demokratike në kohën që  PD-ja drejtohej nga Basha. Në mars të vitit të kaluar Prokuroria e Elbasanit kërkoi që në seancën për Arbër Paplekajn të thirrej për të dëshmuar edhe Gazment Bardhi. Deputeti demokrat u thirr që të dëshmonte në cilësinë e kandidatit për deputet, por edhe në cilësinë e drejtuesit të fushatës së PD në Elbasan në 2021.

Në atë kohë Gazment Bardhi pati deklaruar se PD kishte një Strukturë për Mbrojtjen e Votës, pjesë e të cilës ishte dhe i pandehuri Arbër Paplekaj.

Arbër Paplekaj është ish-efektiv i RENEA-s dhe për disa muaj ka qenë edhe pjesë e sigurisë në ambasadën e SHBA-ve Tiranë.

Ndërsa pasi është larguar është atashuar në strukturat e sigurisë pranë Partisë Demokratike  nën shoqërinë e Gazmend Bardhit në Elbasan.

Kujtojmë se nga ngjarja në prag të zgjedhjeve të 25 prillit mbetën të plagosur edhe katër persona,  mes të cilëve  edhe efektivja e  Forcave Shqiponja, Xhensila Sota, në përpjekje për të ndaluar krimin . Të plagosurit e tjerë  ishin Emiliano Prenga, Eltion Bodinaku, i cili ishte dhëndri i viktimës Xhuvani dhe Pavlo Vuksani.

Pjesë nga debati

Gazment Bardhi: Je me votat e këtyre këtu, mos u bëj fasadë e Evisit, Suel Çelës dhe bandave në Elbasan

Flutura Açka: Ti e di shumë mirë çfarë mëkatesh ke. Ti e di shumë mirë, çfarë mëkatesh ke…

Gazment Bardhi: Mos u bëj fasadë, mos shkel votën e opozitarëve,

Flutura Açka: Kjo është mbledhja e parë e sesionit të vitit 2024, ju uroj një vit të mbarë.

Gazment Bardhi: Jo nuk kemi çfarë të drejtojmë bashkë

Flutura Açka: Ulu të flasim bashkë për këto çështje.

 

 

 

A ju ndihmoi ky artikull?PoJo