Politikani demokrat Belind Këlliçi ka deklaruar këtë të hënë nga selia blu se ministri Taulant Balla ka emëruar në krye të Agjencisë së Pasurive të Sekuestruara, Ferdinant Tarazhin. Një ish-Drejtor në Ministrinë e Brendshme, i kallëzuar në SPAK në vitin 2021 nga Kontrolli i Lartë i Shtetit.
“Në qershor të vitit 2023, ky personazh punësohet si Drejtor i Shërbimeve Operacionale në landfillin e Sharrës nga Integrated Energy BV SPV, si njeriu i besuar i baxhanakut të Mirel Mërtirit, Mark Jaka për të vazhduar biznesin fitimprurës të dherave.
Biznes i cili ka gjeneruar dhjetëra miliona euro të cilat dhe sot fshihen kesh siç thotë SPAK, ose metra katrorë ndërtim të shpërndara në të gjithë kullat e Tiranës, të cilat sigurisht kjo strukturë refuzon t’i shohë”, u shpreh Belind Këlliçi.
Mirëpo, një dokument i rrjedhur në media tregon se në fakt në krye të Agjencisë së Pasurive të Sekuestruara nuk është emëruar shtetasi Ferdinant Tarazhi, por një zyrtar tjetër.
Referuar dokumentit të siguruar dhe nga newsbomb.al, në krye të këtij institucioni të rëndësishëm që administron pronat dhe pasuritë e sekuestruara dhe konfiskuara, për llogari të shtetit shqiptar, është emëruar Idriz Haxhiaj.
Ndërkohë, në pikën 4 të këtij vendimi evidentohet një ndërhyrje interesante. Aty thuhet se urdhri nr.39 i Ministrit të Brendshëm i datës 12.02.24, për “Delegim Kompetencash” shfuqizohet. Pra, sot është marrë dhe një urdhër për të deleguar kompetencat te një person tjetër që nuk është Izet Haxhiaj, por që është vendosur të shfuqizohet po sot.
Cili është vallë ky person dhe përse është shfuqizuar sot një urdhër i firmosur po sot?!
A ju ndihmoi ky artikull?PoJo