Lajme

Deklaratat e Vuçiqit për armatimin, ish-eprori i UÇK-së: Serbia nuk guxon ta prekë Kosovën

Deklaratat e fundit të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq për fuqizimin e kapaciteteve ushtarake dhe skenarët e mundshëm të përdorimit të tyre, kanë ngjallur reagime në opinionin publik, duke u konsideruar si shqetësuese në kontekstin e sigurisë rajonale.

Ish-eprori i lartë i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Naim Miftari, në një prononcim për “Bota sot”, ka deklaruar se Serbia vazhdon të ketë epërsi në armatim krahasuar me Kosovën, kurse Kroacia është i vetmi shtet i rajonit që mund të krahasohet me kapacitetet ushtarake serbe.

Sipas tij, Beogradi nuk guxon të nisë luftë kundër Kosovës për shkak të pranisë së NATO-s dhe vendosmërisë së shqiptarëve për ta mbrojtur lirinë e vendit.

 “E vërtetë është se, sa i përket kapaciteteve, Serbia posedon armë për nga numri dhe cilësia shumë më shumë sesa posedon Kosova dhe vendet tjera të ish-Jugosllavisë; e vetmja që e konkurron është Kroacia. Mirëpo, Serbia nuk mundet dhe nuk guxon të ndezë luftë kundër Kosovës, pasi do të përballej me NATO-n dhe me vendosmërinë e shqiptarëve të Kosovës, që kurrë nuk do ta pranonin një jetë nën pushtimin serb”, ka thënë ai.

Tutje, Miftari ka theksuar se Kosova, si shtet i ri, ka nevojë për kohë që të forcojë kapacitetet e saj ushtarake dhe të përgatitet për çdo sfidë eventuale të sigurisë.

Ai ka kritikuar qeveritë e mëhershme, duke thënë se ato kanë folur për ushtri, por pa ndërmarrë hapa konkretë për forcimin e saj.

“Plus, Kosova është shtet i ri dhe i duhet kohë për t’u armatosur dhe për t’u përgatitur ushtarakisht për luftë. Dorën në zemër, pas luftës dhe çarmatosjes së UÇK-së, shteti ynë vetëm në zemrat tona ka pasur ushtri, pasi TMK-ja ka qenë organizatë jo-ushtarake, organizatë që ndihmonte në vërshime, tërmete dhe kriza natyrore. Qeveritë e mëhershme, pothuajse të gjitha qeveri të korruptuara, vetëm fjalë kanë pasur për ushtri, por jo vepra. Por tani konkretisht po bëhen hapa, sidomos në 5 vitet e fundit, ku qeveria e Kosovës po ndan qindra miliona për armatosje dhe po rrit kapacitetet ushtarake. Ky trend nuk duhet të ndalet asnjëherë, pasi shteti serb e njeh vetëm gjuhën e forcës, prandaj ne duhet të jemi mirë të armatosur dhe të trajnuar për luftë”, ka shtuar ai.

Duke komentuar deklaratat e Vuqiçit, i cili së fundmi e krahasoi ushtrinë serbe me atë izraelite, Miftari i ka cilësuar këto pretendime si të pabazuara.

“Sa i përket faktit që Vuçiqi e ka krahasuar armatën serbe me atë të Izraelit, ky është VICI – përrallë për fëmijë, pasi Izraeli është më i armatosur për nga kualiteti sesa vetë ushtria amerikane. Blerjet serbe të raketave kineze, të aeroplanëve ushtarakë “Rafale” francezë, të dronëve dhe sistemit raketor izraelit PULS nuk ndryshojnë asgjë dhe prapë nuk e bëjnë Serbinë dominante ndaj Kosovës. Sepse liria jonë dhe shteti ynë nuk varen vetëm nga ndërkombëtarët dhe NATO-ja, por varen nga serioziteti dhe vendosmëria jonë se sa e duam me të vërtetë atdheun, shtetin tonë dhe lirinë tonë sot dhe në të ardhmen”, ka përfunduar Miftari.

Të Ngjashme