Në protestën e mbajtur në Prishtinë, ku u kërkua drejtësi për gratë e vrara dhe përgjegjësi institucionale, ka folur edhe Drilon Coklit vëllai i Erona Coklit e vrarë në Qendrën për Punë Sociale më 12 prill 2024,i cili ka shprehur pakënaqësinë e familjes me dënimin prej 24 vjetësh burg për vrasjen e motrës së tij.
Ai ka thënë se asnjë dënim nuk mund ta kthejë Eronën, por ka theksuar se jeta e saj meriton drejtësi dhe se dhimbja e familjes duhet të dëgjohet.
“Ne si familje nuk jemi të kënaqur me dënimin prej 24 vitesh burg. Për ne, asnjë dënim nuk mund ta kthejë Eronën, por besojmë se jeta e saj meriton drejtësi dhe se dhimbja e familjes sonë duhet të dëgjohet. Kërkojmë që drejtësia të vihet në vend dhe që rasti i saj të trajtohet me seriozitetin që meriton. Pas çdo viktime ka një familje, fëmijë që vuajnë, ëndrra të ndërprera dhe një dhimbje që zgjat gjithë jetën”, ka thënë ai.
Cokli tha se ata nuk do të ndalen së kërkuar drejtësi, duke u bërë thirrje institucioneve që emri i motrës së tij, Arlindës e grave të tjera mos të harrohet nga drejtësia.
“Asnjë grua nuk duhet ta humbas jetën duke kërkuar të drejtën për të jetuar e sigurt. Zëri ynë për Eronën, Arlindën e gratë të tjera nuk do të heshtë, drejtësia mos t’i harrojë emrat e tyre”, tha ai.
Protesta e sotme është vazhdimësi e mobilizimeve qytetare pas vrasjes së Arlinda Zekajt, me kërkesën që institucionet të garantojnë mbrojtje efektive për gratë dhe vajzat në Kosovë.
