Është deklaruar i pafajshëm Florim Ahmet, i cili akuzohet se në cilësi të policit keqtrajtoi të dëmtuarit E.Gj dhe F.H., duke iu hedhur sprej lotsjellës e sulmuar.
“Nuk e ndiej veten fajtor”, tha Ahmeti në seancën e së enjtes në Gjykatën Themelore në Prishtinë, pas leximit të aktakuzës nga prokurori Nazmi Krasniqi, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Prezent ishte edhe mbrojtësi i të akuzuarit Ahmeti, avokati Bekim Kafexholli.
Gjykatësja e rastit, Valbonë Përlaska më pas njoftoi palët në të drejtën për kundërshtim të provave dhe kërkesës për hudhje të aktakuzës në afat prej 30 ditësh.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë të datës 1 mars 2023, Florim Ahmeti akuzohet se më 26 nëntor 2022, në hapësira publike në Prishtinë, duke keqpërdorur detyrën dhe autorizimet e tij, derisa ishte ushtruar detyrën e zyrtarit policor, ka keqtrajtuar, frikësuar dhe fyer rëndë dinjitetin e të dëmtuarve E.Gj dhe F.H.
Në aktakuzë thuhet se përderisa i dëmtuari E.Gj., kishte kërkuar nga zyrtarët policorë që t’i shkruhet fletëparaqitja për kundërvajtje të parkingut të parregullt, e mos t’i tërhiqet vetura pasi që ishte vetë prezent dhe mund ta largonte, Ahmeti sipas aktakuzës, ka sulmuar E.Gj., kinse për ta arrestuar edhe pse nuk kishte rezistim nga i dëmtuari E.Gj.
Sipas aktakuzë, i akuzuari i hodhi sprej lotsjellës në sy të dëmtuarit, dhe në një moment të dëmtuarit tjetër F.H., që ndodhej pranë, e kishte goditur me shqelm në këmbën e tij të djathtë, në mes të këmbëve dhe i kishte hedhur po ashtu edhe atij sprej lotsjellës në fytyrë.
Për këto veprime, Ahmeti ngarkohet me veprën penale “Keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrave zyrtare ose autorizimeve publike” nga neni 195, paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
