ShowBizzz

Delfina Dehari sjell “Rrënjët” në modën bashkëkohore – ndërthurje mes trashëgimisë dhe dizajnit futurist

Delfina Dehari është dizajnere e modës e lindur në Prishtinë, me prejardhje nga Kërçova e Maqedonisë së Veriut. Ajo përfaqëson një brez të ri krijuesish që ndërtojnë identitetin artistik mbi lidhjen e fortë me kulturën dhe rrënjët familjare, duke e kthyer atë në gjuhë bashkëkohore të modës.

Rrugëtimi i saj akademik është zhvilluar paralelisht në disa institucione prestigjioze. Ajo ka përfunduar arsimin fillor dhe të mesëm në Kërçovë, ndërsa studimet e larta i ka ndjekur në Prishtinë dhe Shkup. Në vitin 2019 filloi studimet në dizajn mode në kolegjin AAB në Prishtinë, ndërsa njëkohësisht u formua edhe në Institutin Francez të Modës “Izet Curi”. Më pas, ajo përmbylli masterin në Universitetin Amerikan të Evropës në Shkup në drejtimin Dizajn dhe Multimedia.

Në skenën ndërkombëtare të modës, Dehari u prezantua së fundmi në “Albania Fashion Week” në Tiranë me koleksionin “Rrënjët”, të zhvilluar gjatë studimeve të saj. Koleksioni ndërthur elemente të veshjeve tradicionale nga Kërçova me një estetikë moderne, duke rikthyer në jetë dy veshje nuseje në një interpretim të ri artistik, si dhe duke integruar motive dhe stoli autentike me vlerë historike.

Stili i saj si dizajnere karakterizohet nga silueta skulpturale dhe një feminitet i fuqishëm estetik, i frymëzuar nga moda avangarde dhe krijimtaria e Thierry Mugler. Ajo ndërton veshje me qasje arkitekturore, ku drama vizuale, forma futuriste dhe detajet e sakta e shndërrojnë çdo krijim në një deklaratë artistike më vete.

Procesi i krijimit të “Rrënjët” ka qenë i gjatë dhe kompleks, duke zgjatur rreth një vit pune intensive. Sfida kryesore ka qenë ruajtja e balancës mes tradicionales dhe modernes, si dhe riinterpretimi i elementeve autentike kulturore pa humbur identitetin e tyre origjinal. Ky proces ka përfshirë hulumtim kulturor, dizajn konceptual dhe punë artizanale të detajuar.

Përmes “Rrënjët”, Delfina Deharipërcjell mesazhin se tradita nuk është statike, por një burim i gjallë frymëzimi që mund të rilindë në forma të reja. Me projekte të ardhshme, ajo synon të thellojë eksplorimin e identitetit kulturor dhe të eksperimentojë me materiale e forma të reja, duke zgjeruar gjithnjë e më shumë gjuhën e saj artistike në botën e modës.

Të Ngjashme