Një person i dyshuar për trafikim të narkotikëve është ndaluar në Vërmicë, ndërsa gjatë kontrollit të veturës ku ndodhej bashkë me një femër janë gjetur dhe konfiskuar mbi 105 gramë substancë e dyshuar narkotike e llojit kokainë, dy fishekë dhe dy telefona celularë.
Sipas raportit të Policisë, rasti ka ndodhur më 15 nëntor, rreth orës 18:00, kur në Vërmicë është ndaluar një veturë BMW me targa lokale, në të cilën ndodheshin dy persona, një mashkull dhe një femër, shtetas të Kosovës. Ndalimi është bërë pas informacioneve operative hetimore të Drejtorisë për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë në Prishtinë, transmeton “Bota sot”.
Pas kontrollit të automjetit, policia ka kryer edhe bastisjen e shtëpisë së të dyshuarit, me urdhër të prokurorit kompetent. Aty është gjetur dhe konfiskuar edhe një detektor për identifikimin e pajisjeve GPS dhe kamerave.
Me vendim të prokurorit, të dyshuarit mashkull i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.
Ndërkaq, gjatë fillimit të intervistimit, në prani të avokatit mbrojtës, të dyshuarës femër i është përkeqësuar gjendja shëndetësore. Për të është kërkuar ndihmë emergjente nga Spitali i Përgjithshëm Rajonal në Prizren.
Pas marrjes së ndihmës së parë mjekësore në vendngjarje, ajo është transportuar në spital për trajtim të mëtejshëm. Megjithatë, rreth orës 01:30, policia është njoftuar nga mjekët se e dyshuara kishte ndërruar jetë.
Lidhur me rastin janë njoftuar njësitë përgjegjëse hetimore të Stacionit Policor në Prizren, Sektori Rajonal i Hetimeve, Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) dhe prokurori kujdestar.
Njësitë policore, përfshirë hetuesinë dhe forenzikën, kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë ndërmarrë veprimet fillestare hetimore për të sqaruar rrethanat e rastit.
