Lajme

Deliu-Kodra: PDK nuk merr pjesë në komisione pa u sjellë ligji për Dhomat e Specializuara

Deputetja e PDK-së Blerta Deliu-Kodra, ka deklaruar se Grupi Parlamentar i PDK-së nuk do të marrë pjesë në punimet e komisioneve parlamentare pa u proceduar projektligji për Dhomat e Specializuara.

Ajo tha se PDK-ja nuk synon të pengojë funksionalitetin e institucioneve, por kërkon që, sipas saj, çështja e Dhomave të Specializuara të trajtohet me urgjencë.

“Sot si Grup Parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës morëm pjesë në komisionet parlamentare dhe dëshmuam edhe një herë atë që nuk mund të ketë prioritet më të rëndësishëm sot sesa sjellja e ligjit për Dhomat e Specializuara. Pra, si PDK, konsiderojmë se e kemi dëshmuar me veprime se nuk bëhemi pengesë për funksionalitetin e institucioneve të Republikës së Kosovës. Mirëpo, ajo çka është krejtësisht e padrejtë është që të simulojmë normalitet për mbarëvajtje çështjesh të cilat kërkojnë veprim urgjent nga shteti. Nuk marrim pjesë as në komisione më nëse nuk sjellet ligji për Specialen”, tha ajo në konferencë për media.

Deliu-Kodra bëri të ditur se deputetët e PDK-së nuk do të marrin pjesë në komisione, duke kritikuar ndërkohë procedimin e gjashtë projektligjeve me procedura të përshpejtuara.

“Sot në Kuvend, të nderuar përfaqësues të medieve, janë sjellë një numër i madh i projektligjeve me procedura të përshpejtuara, ndërkohë që Qeveria i ka diskutuar 45 pika të rendit të ditës. Në Komisionin për Legjislacion, të cilin sapo e lëshuam, duke e thënë qartësisht që nuk do të jemi në komisione pa u sjellë ligji për Dhomat e Specializuara, sot janë sjellë gjashtë projektligje me procedura të përshpejtuara. Dje deputetët i kanë marrë materialet për këto projektligje, ndërkohë pa mbërritur që të diskutohen, të trajtohen, gjashtë projektligje sillen në rend dite në ditën kur nevojë imediate do të duhej të ishte sjellja e ligjit për Dhomat e Specializuara. Pra, projektligji për Dhomat e Specializuara fatkeqësisht vazhdon ende të mbetet në sirtarët e qeverisë. Ndërkohë që për projektligjet e tjera e thashë që gjendet kohë që të sillen në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Për këtë projektligj të Dhomave të Specializuara na thuhet që po kërkohet ekspertizë dhe po zvarritet procedimi i tij. Është e pakuptimtë që sillen 6 ligje të tjera me procedura te përshpejtuara, e jo ky i Gjykatës ne Hage”, deklaroi Deliu-Kodra./teve1.info/

Të Ngjashme