Ministri i Punëve të Brendshme, Ervin Demo, ka ndjekur nga afër testimin e kandidatëve për Patrullën e Përgjithshme, së bashku me zëvendësdrejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit dhe rektorin e Akademisë së Sigurisë, ku vlerësoi interesin në rritje për t’iu bashkuar uniformave blu dhe risitë në procesin e rekrutimit.
Ministri theksoi se rritja e interesit për Policinë e Shtetit është një tregues pozitiv dhe një përgjegjësi për të përzgjedhur e përgatitur kandidatë të aftë, të ndershëm dhe të përkushtuar ndaj detyrës. Një nga risitë e këtij viti është rritja e kufirit maksimal të moshës për aplikim nga 30 në 35 vjeç, duke krijuar më shumë mundësi për kandidatë me përvojë dhe duke synuar rritjen e efektivitetit të trupës së Patrullës së Përgjithshme.
“Shifrat tregojnë që interesi ka ardhur në rritje për Policinë e Shtetit. Këtë vit kemi edhe një risi, pasi mosha është rritur nga 30 në 35 vjeç. Kjo tregon se Policia e Shtetit, duke marrë në konsideratë përvojën e saj, ka sjellë risi që e bëjnë trupën e Patrullës së Përgjithshme shumë më efektive”, u shpreh Demo.
Përmes një statusi në rrjetet sociale, ministri nënvizoi se zgjedhja për t’u bërë pjesë e Policisë së Shtetit është një angazhim ndaj qytetarëve, respektimit të ligjit dhe përgjegjësisë për ta dëshmuar këtë çdo ditë përmes punës.
“Të zgjedhësh këtë profesion do të thotë të zgjedhësh shërbimin ndaj qytetarit, respektin për ligjin dhe përgjegjësinë për ta dëshmuar këtë çdo ditë me punë”, shkruan Demo, duke falënderuar stafin e angazhuar në mbarëvajtjen e testimit dhe duke u uruar suksese të gjithë kandidatëve.
“Shumë suksese të gjithëve dhe patjetër të fitojë më i miri!”, përfundoi ministri.
