Dy vite e gjysëm pasi ndodhi sulmi terrorist serbë në Banjskë, fajtorët morën dënimin meritor. Dy nga serbët e përfshirë në këtë rast, ku mbeti i vdekur rreshteri Afrim Bunjaku, morën dënimin me burg të përjetshëm, ndërsa i treti u dënua me 30 vite burg.
Ky vendim ka më tepër se dy vite që kërkohet, madje ky rast u përmend shumë herë edhe nga ndërkombëtarët, të cilët e dënuan rastin si të tillë. E vendimit të gjykatës në Kosovë për dënimin e tyre, iu gëzuan të gjithë.
Por një vendim i tillë, a do t’ia ndalë hovin serbëve, për organizime të tilla, kur dihet që është përmendur shumë herë që Banjska, mund të përsëritet? A do të bindet Serbia që në Kosovë ekziston drejtësia dhe që Kosova mund të veprojë si shtet i pavaruar dhe si shtet i fuqishëm?
Lidhur me këtë ҫështje, njohësit e sigurisë kanë dhënë qëndrimet e tyre.
Vendimi shihet si mesazh i fortë ndaj destabilizimit, por rreziku mbetet pa presion ndërkombëtar
Kështu, eksperti i sigurisë, Fidair Berisha, për “Bota sot” vlerëson se, dënimi për rastin e Banjskës është dëshmi se Kosova funksionon si shtet i së drejtës dhe nuk toleron veprime destabilizuese.
“Dënimi për rastin e Banjskës është një mesazh i qartë se Republika e Kosovës është shtet i së drejtës për të gjithë dhe nuk toleron që organizime të tilla të mbesin pa u ndëshkuar”, theksoi ai.

Fidair Berisha
Ai shton se me këtë vendim u është dërguar mesazh i qartë Serbisë dhe grupeve të përfshira se çdo cenim i rendit juridik do të përballet me reagim institucional.
“Serbisë dhe grupeve terroriste u është bërë e qartë se kushdo që provon të cenojë rendin juridik do të përballet me reagim të drejtë dhe në kohë nga shteti”, u shpreh Berisha.
Megjithatë, ai vlerëson se mbetet e paqartë nëse kjo do të mjaftojë për të ndalur veprimet e strukturave të mbështetura nga Serbia, duke theksuar se pretendimet politike nuk do të zhduken lehtë.
“Ndërsa hovin mund t’ua ndalim, pretendimet politike të Serbisë ndaj Kosovës nuk do të shuhen në këtë fazë”, deklaroi ai.
Sipas tij, pa presion të drejtpërdrejtë ndërkombëtar ndaj Beogradit, rreziku i përsëritjes së skenarëve të ngjashëm mbetet real dhe kërkon vigjilencë të vazhdueshme.
“Pa presion ndërkombëtar ndaj Beogradit, rreziku i përsëritjes së skenarëve të ngjashëm mbetet real dhe kërkon syçeltësi të vazhdueshme”, tha Berisha.
Krahas kësaj, eksperti potencon se dënimet përbëjnë goditje për Serbinë në planin ndërkombëtar dhe forcojnë perceptimin për përfshirje në struktura destabilizuese.
“Ky veprim përbën goditje të drejtpërdrejtë për Serbinë, duke forcuar perceptimin për përfshirje në grupe destabilizuese”, përfundoi ai.
Në fund, Berisha nënvizon se rasti dëshmon kapacitetin e Kosovës për të mbrojtur sovranitetin dhe se çdo cenim i sigurisë do të përballet me forcën e ligjit.
Vendimi gjyqësor shihet si provë e funksionimit të shtetit, por jo garanci për eliminimin e rrezikut
Ndërsa, dënimin e rastit të Banjskës, si një moment të rëndësishëm për rendin juridik dhe sigurinë në Kosovë, e cilëson si mesazh të qartë kundër çdo tentative destabilizuese, gjeneral-majori Muhamet Racaj, për ‘Bota sot’.
Sipas tij, dënimi i rastit të Banjskës përbën një moment të rëndësishëm në konsolidimin e rendit juridik dhe të sigurisë në Republikën e Kosovës.

Muhamet Racaj
Ai thekson se ky rast nuk është vetëm procedurë penale, por sinjal institucional se cenimi i rendit kushtetues dhe përdorimi i dhunës do të përballet me reagim të vendosur ligjor.
“Ky rast nuk është thjesht një procedurë penale, por një mesazh i qartë se çdo tentativë për destabilizim do të përballet me përgjigje të vendosur ligjore”, u shpreh Racaj.
Sipas tij, vendimi gjyqësor ka efekt parandalues dhe dëshmon kapacitetin e Kosovës për të ndjekur dhe ndëshkuar aktorët që veprojnë kundër saj, por nuk mjafton për të eliminuar plotësisht rrezikun.
“Vetëm një vendim gjyqësor nuk është i mjaftueshëm për të eliminuar rrezikun, por ai ka efekt të fuqishëm parandalues dhe demonstron kapacitet institucional”, deklaroi ai.
Ai paralajmëron se mundësia e përsëritjes së skenarëve të ngjashëm duhet marrë seriozisht, duke kërkuar vigjilencë më të madhe dhe bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë.
“Paralajmërimet për një ‘Banjska të re’ duhet të merren me seriozitet maksimal dhe kërkojnë vigjilencë të shtuar dhe bashkëpunim ndërkombëtar”, tha Racaj.
Në aspektin politik dhe strategjik, ai e sheh rastin si goditje indirekte ndaj Serbisë dhe njëkohësisht dëshmi të funksionimit të shtetit të Kosovës.
“Ky proces është një dëshmi konkrete se institucionet e Kosovës funksionojnë dhe se shteti është i aftë të mbrojë sovranitetin e tij”, përfundoi ai.
