Një godinë e vogël në zonën e Zvërnecit, e vendosur pranë daljes së parë ku kanali i Lagunës së Nartës lidhet me detin, është përfshirë nga flakët mesditën e sotme.
Objekti i prekur nga zjarri shërbente si magazinë për ruajtjen e materialeve të peshkimit. Pas shpërthimit të flakëve, në vendngjarje kanë mbërritur me shpejtësi shërbimet zjarrfikëse të Vlorës, të cilat kanë marrë menjëherë masa për lokalizimin dhe shuarjen e tyre.
Situata paraqiste rrezikshmëri të lartë, pasi flakët rrezikonin të përhapej me shpejtësi drejt pyllit me pisha që ndodhet pranë godinës. Megjithatë, ndërhyrja e menjëhershme e efektivëve zjarrfikës bëri të mundur neutralizimin e plotë të vatrës së zjarrit dhe parandalimin e dëmtimit të sipërfaqes pyjore.
Sa i përket shkaqeve, shërbimi zjarrfikës bën me dije se paraprakisht dyshohet se “shkak i rënies së zjarrit ka qenë një shkëndijë elektrike”. Nga ngjarja raportohet se ka pasur vetëm dëme materiale, ndërkohë që ekspertët po vijojnë punën për përcaktimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.
