LifeStyle

Dënimi me burg – Deklaratat e Katy Perry-t për ish-bashkëshortin Russell Brand: Ai ishte shumë kontrollues

Deklaratat e këngëtares së njohur Katy Perry për ish-bashkëshortin e saj, aktorin dhe komedianin britanik Russell Brand, janë rikthyer në qendër të vëmendjes pas dënimit të tij me 10 vite e 6 muaj burg për përdhunim dhe sulme seksuale ndaj katër grave.

Në një intervistë të dhënë për revistën ‘Vogue’ në vitin 2013, një vit pas divorcit, Perry kishte folur hapur për marrëdhënien e tyre dhe sjelljen e Brand gjatë martesës 14-mujore. Ajo e kishte përshkruar atë si një person kontrollues, veçanërisht kur bëhej fjalë për karrierën e saj dhe turnetë muzikore.

Në intervistën për ‘Vogue’, këngëtarja tregoi se ish-bashkëshorti nuk ndihej mirë me faktin që ajo kishte kontroll mbi karrierën dhe aktivitetet e saj profesionale.

‘Ai nuk e pëlqente faktin që unë isha në kontroll gjatë turneut. Kjo më lëndonte vërtet. Sjellja e tij ishte shumë kontrolluese dhe kjo më shqetësonte’, ishte shprehur Perry.

Ajo foli gjithashtu për ndryshimin e sjelljes së Brand gjatë marrëdhënies së tyre. Sipas këngëtares, në fillim ai dukej se dëshironte një partnere të barabartë, por më vonë kjo dinamikë ndryshoi.

‘Kur e takova, ai dëshironte një partnere të barabartë. Mendoj se shumë burra me personalitet të fortë duan një grua që të jetë e barabartë me ta. Por, kur e fitojnë këtë barazi, kuptojnë se nuk dinë si ta përballojnë atë’, kishte deklaruar ajo.

Deklaratat e vjetra të këngëtares kanë marrë edhe më shumë vëmendje pas një momenti gjatë një koncerti në korrik të vitit 2025, kur ajo bëri një koment për një ish-partner, duke thënë se ai duhej të ishte në burg.

Megjithëse Perry nuk përmendi emra, komentet e saj janë rikthyer në diskutimet publike pas dënimit të Russell Brand.

Sipas raportimeve të mediave, këngëtarja kishte marrë edhe oferta për të folur publikisht për përvojën e saj, por kishte zgjedhur të mos komentonte çështjen gjatë procesit gjyqësor.

Katy Perry dhe Russell Brand u martuan në Indi në tetor të vitit 2010, por martesa e tyre zgjati vetëm rreth 14 muaj.

Në dhjetor të vitit 2011, këngëtarja mori një mesazh nga Brand, përmes të cilit ai e njoftonte se dëshironte t’i jepte fund martesës dhe të kërkonte divorcin.

Ky moment u dokumentua edhe në filmin ‘Katy Perry: Part of Me’, të publikuar në vitin 2012. Kamerat e dokumentarit filmuan reagimin emocional të këngëtares kur ajo mësoi për vendimin e bashkëshortit.

Në dokumentar, Perry tregoi se kishte bërë gjithçka që kishte mundur për të shpëtuar martesën, por marrëdhënia e tyre nuk kishte arritur të mbijetonte.

Ajo e përshkroi atë periudhë si një përvojë të vështirë, por edhe si një moment nga i cili kishte nxjerrë shumë mësime për jetën.

Më 9 nëntor 2026, Russell Brand u dënua nga gjykata në Londër me 10 vite e 6 muaj burg, pasi u shpall fajtor për një akuzë përdhunimi dhe tri akuza për sulme seksuale ndaj katër grave, për ngjarje të ndodhura ndërmjet viteve 2004 dhe 2009.

Vendimi u dha pas një procesi gjyqësor katërjavor në Gjykatën e Southwark-ut. Brand kishte mohuar akuzat dhe ishte deklaruar i pafajshëm, ndërsa juria e shpalli fajtor për katër prej akuzave dhe e shpalli të pafajshëm për dy akuza të tjera për përdhunim dhe një akuzë për tentativë sulmi të pahijshëm.

Aktori, i njohur edhe për rolin në filmin ‘Get Him to the Greek’, është i martuar me Laura Gallacher që prej gushtit të vitit 2017.

Ndërsa lajmi për dënimin e tij ka rikthyer në vëmendje marrëdhëniet e mëparshme të aktorit, deklaratat e Katy Perry-t për martesën e tyre po qarkullojnë sërish në mediat ndërkombëtare.

Të Ngjashme