Lajme

​Deputetët debatojnë për fotografitë e Daut Haradinajt dhe Albin Kurtit me të përfshirët në vrasje grash

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Taulant Kelmendi, në seancën e Kuvendit të Kosovës ka ngritur çështjen e fotografive të anëtarit të Aleancës Daut Haradinaj, me personin që e ka cilësuar si dorasin e Arlinda Sylaj-Zekajt dhe me bashkëshortin e viktimës.

Kelmendi tha se fotografitë dhe afërsia politike nuk përbëjnë domosdoshmërisht dëshmi të përgjegjësisë penale, por sipas tij, ato ngrenë pyetje legjitime dhe publiku ka të drejtë të kërkojë llogari.

Kelmendi: Fotografitë s’janë domosdoshmërisht dëshmi e përgjegjësisë penale, ato ngrehin pyetje legjitime

“Kemi raste kur ish-kryeministra, ish-deputetë e ish-kryetar të partive, për të cilët janë ngritur publikisht akuza apo pretendime për dhunë në familje. Në anën tjetër, kemi disa sekrete publike me të cilat i kemi pasur gjatë gjithë ditës në rrjete sociale, ku kultivohen raporte me vrasës e doras e madje edhe me dorasin dhe burrin e viktimës. Fotografitë shoqërimet dhe afërsia politike nuk është domosdoshmërisht dëshmi e përgjegjësisë penale të askujt. Ato ngrehin pyetje legjitime. Në këtë kontekst para moralizimit duhet një distancim, publiku ka të drejtë të kërkoj llogari për fotografitë. Madje, janë të përfshirë edhe ata që thoshin se qytetarët kanë pasur bomba nëpër xhepa. A distancohet sot zonja deputete me dorasin”, tha Kelmendi.

Ndërsa, deputetja e Aleancës Time Kadrijaj, ka kundërshtuar politizimin e rastit, duke thënë se përgjegjësia për vrasjen dhe parandalimin e rasteve të tilla u takon institucioneve të sigurisë.

Ajo ka përmendur edhe një fotografi të Naim Murselit me kryeministrin Albin Kurti, duke pyetur nëse për këtë fotografi janë bërë akuza të ngjashme.

Kadrijaj: A e keni dëgjuar dikë që ka akuzuar Albin Kurtin për foto me Naim Murselin

“Nuk kemi dashur me politizuar, sepse njerëzit nuk kanë pasur faj nëse ka ndodhur një vrasje. Shpërqendrimi i vëmendjes dhe kalimi i përgjegjësisë prej institucioneve tek individët kjo nuk ka kuptim. Unë kam një foto që Naim Murseli me burgim të përjetshëm është në foto me Albin Kurtin. A keni ndonjë sqarim këtu, a e keni dëgjuar dikë që ka akuzuar Albin Kurtin për këtë foto, nuk e ka akuzuar askush. Ky është shpërqendrim i vëmendjes, përgjegjësia është e institucioneve të sigurisë”, tha Kadrijaj.

Në replikën e tij, Kelmendi i është drejtuar deputetes Kadrijaj me një thirrje për ta ndihmuar dorëzimin e personit, të cilit i referohej në organet e drejtësisë.

Kelmendi: A mund ta shfrytëzoni këtë shoqëri që ta telefononi dorasin dhe të dorëzohet

“A mund ta shfrytëzoni këtë shoqëri që ta telefononi dorasin dhe të dorëzohet para organeve ligjzbatuese”, tha ai.

Të Ngjashme