Lajme

​Deputeti Hoti reagon për zhvillimet e sotme në Kuvend

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti ka reaguar lidhur me zhvillimet e ditës së sotme në Kuvendin e Kosovës.

Ai tha se, zhvillimet e sotme në Kuvendin e Kosovës e bënë të qartë “pse ne, gjashtë deputetët e LDK-së, i kemi thënë “JO” propozimit të VV-së për president”.

Hoti tha gjithashtu se, Republika e Kosovës nuk mund të vendoset nën diktatin e një njeriu të papërgjegjshëm.

“Zhvillimet e sotme në Kuvendin e Kosovës e bënë edhe më të qartë pse ne, gjashtë deputetët e LDK-së, i kemi thënë “JO” propozimit të VV-së për President. Republika e Kosovës nuk mund të vendoset nën diktatin e një njeriu të papërgjegjshëm, që nuk ka asnjë ndjeshmëri për sakrificën e brezave mbi të cilën është ndërtuar shteti ynë”, shkruan Hoti në Facebook.

Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu është përfshirë në një debat me deputetin e Listës Serbe, Igor Simiq, duke i kërkuar këtij të fundit të tërheq fjalën për një deklaratë që kishte bërë në pjesën e parë të vazhdimit të seancës konstitutive të parlamentit të Kosovës, të mërkurën.

Simiq, gjatë propozimit të Sllavko Simiqit si kandidatit për nënkryetar të Kuvendit nga komuniteti serb, kishte thënë se ai po propozohej “në emër të popullit serb”.

Haxhiu e ka cilësuar këtë deklaratë si të papranueshme dhe në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës.

Në vazhdimin e seancës pas pauzës, ajo ka kërkuar që propozimi të bëhet në përputhje me Kushtetutën dhe Rregulloren e Kuvendit.

Kështu, Albulena Haxhiu, ka ndërprerë seancën konstituive pas mospajtimeve mes subjekteve politike lidhur me votimin e nënkryetarëve të Kuvendit.

Të Ngjashme