Në Gjykatën e Posaçme ka dëshmuar Kleviol Ahmeti, i njohur si “Cllevio”, duke folur për raportin e tij me Laert Haxhiun, konfliktin me reperin Rigels Rajku, Noizy, si edhe për shpërthimin me lëndë plasëse në lokalin e këtij të fundit. Ai ka mohuar çdo lidhje me të pandehurit e tjerë dhe ka sqaruar se njohja me Haxhiun lidhet vetëm me fqinjësinë.
Sipas tij, me Laert Haxhiun ka njohje të hershme, pasi të dy jetojnë në Lushnjë dhe shtëpitë e tyre ndodhen jo më larg se 150 metra nga njëra-tjetra. Ahmeti tha se janë rritur bashkë, familjet njihen dhe në vitin 2007 kanë luajtur edhe futboll. Ai shtoi se, kur e ka njohur Haxhiun, ky i fundit ka qenë pa punë, ndërsa theksoi se vitet e fundit nuk është takuar më me të.
Të lidhura
None found
Në dëshminë e tij, Cllevio shpjegoi se ka ardhur nga SHBA në vitin 2013, ndërsa në vitin 2014 ka përfunduar në burg. Ai deklaroi se është liruar në vitin 2020 dhe që nga ajo kohë nuk ka pasur më asnjë takim me Laert Haxhiun. Sipas tij, dënimin e ka vuajtur në 313, 302, Fier dhe Durrës, ndërsa nënvizoi se nuk ka pasur as telefonata dhe asnjë lloj kontakti tjetër me të.
Lidhur me Rigels Rajkun, Ahmeti u shpreh se e njeh në mënyrë artistike. Ai tha se Rajku është një muzikant i njohur, ndërsa veten e përshkroi si muzikant të panjohur. Sipas tij, Noizy shante Viktor Palokën, i njohur si Unikatili, për të fituar famë, në një kohë kur ai vetë ndodhej në Amerikë. Pas 15-20 vitesh, tha Ahmeti, i është përgjigjur edhe ai me muzikë duke e sharë Noizyn.
Cllevio deklaroi se shkruan tekste muzike dhe se, pasi doli nga burgu në vitin 2020, synonte të bëhej i famshëm. Për këtë arsye, sipas tij, nisi një përplasje artistike me “dissa”, e cila i solli famë dhe po i pëlqente.
Më tej, ai tregoi se në një moment vendosi t’i jepte fund kësaj përplasjeje dhe shkoi në Durrës për t’i kërkuar falje Noizy-t. Sipas dëshmisë së tij, atë ditë ishte i shoqëruar dhe, sapo mbërriti te lokali “Zins” në Currila, parkoi makinën dhe u tha personave që kishte me vete të mos zbrisnin. Kur iu afrua lokalit, tha ai, doli Rigels Rajku, djali i Bashkimit, bashkë me 12 persona të tjerë, të cilët e sulmuan.
Ahmeti rrëfeu se gjatë dhunës i kanë shkelur kokën me këmbë dhe si pasojë ka pësuar mpiksje gjaku në kokë. Ai deklaroi se më pas shkoi në spital, mori mjekim dhe u arrestua, pasi ndodhej në arrest shtëpie dhe përfundoi sërish në burg.
Sipas tij, para se të shkonte te lokali, e kishte njoftuar se po shkonte atje dhe kishte hapur edhe Instagramin “Live”, ku thoshte se po nisej për në Durrës te Noizy. Cllevio tha se, sapo hyri te lokali, pa një roje dhe i kërkoi t’i thërriste Noizyn. Ai shtoi se Rajku erdhi për 24 sekonda bashkë me grupin e tij OTR. Sipas Ahmetit, ai nuk i njihte personat që e shoqëronin Noizyn. Në momentin që Noizy mbërriti, Ahmeti tha se hoqi syzet në shenjë respekti, por pikërisht atëherë u godit me grusht dhe më pas u sulmua nga 6-8 veta.
Në konflikt, sipas tij, u përfshinë edhe dy shokët e tij, ndërsa njërit iu thyen dhëmbët. Ai deklaroi se vetë ka marrë dëmtime në kokë dhe në brinjë. Për këtë episod, tha se ka dhënë deklarime kur ndodhej në IEVP Fier. Ahmeti shtoi se në atë periudhë vetëm nëna e tij ishte në Shqipëri, ndërsa pjesa tjetër e familjes ndodhej në Amerikë. Sipas tij, ngjarja është e dokumentuar me pamje filmike që tregojnë momentin kur e godasin. Ai theksoi se nuk kishte menduar të hakmerrej ndaj Noizy-t.
Duke folur për shpërthimin me tritol në lokalin e Rigels Rajkut, Cllevio tha se për këtë ngjarje është informuar nga shokët e burgut. Ai deklaroi se, kur u kthye në sektor, mësoi se shpërthimi kishte ndodhur disa ditë më parë. Më pas, sipas tij, një oficer policie në Durrës e thirri dhe i tha se po zhvillohej një hetim për vendosjen e tritolit.
Ahmeti tha se u kishte shpjeguar hetuesve se nuk dinte kush e kishte vendosur lëndën plasëse, pasi në atë kohë ndodhej në burg. Ai shtoi se kishte menduar me vete se kush mund ta kishte kryer dhe dyshimi i tij personal shkonte te një person i njohur si “BABA”. Po ashtu, deklaroi se nuk i ka ardhur asnjë fjalë që Laerti të ketë qenë i përfshirë në këtë ngjarje, se Marjus Tahanin nuk e njeh fare dhe se me Rigelsin nuk janë pajtuar.
