Italiani 35-vjeçar Angelo Esposito ka refuzuar të japë deklarime për policinë, pas arrestimit për vjedhjen e makinës “Audi A8” në rrugën dytësore Durrës-Tiranë. Mësohet se i riu ka refuzuar të jap edhe gjeneralitetet e emrit dhe me vete nuk i është gjetur asnjë dokument.
Policia është lidhur me ambasadën italiane në Tiranë për të marrë më tepër informacion për aktivitetin e tij në Shqipëri.
Deri në këtë fazë mbetet i paqartë shkaku i hyrjes së tij brenda vendit tonë dhe koha, ndërsa pritet përgjigje e ambasadës për të sqaruar rrethanat e plota.
Vjedhja ndodhi ditën e djeshme në një rrugë dytësore, ku pronari i Audit sapo kishte dalë nga makina dhe e kishte lënë të ndezur.
Shtetasi italian ka hipur në automjet dhe është larguar menjëherë nga vendi i ngjarjes. Ai ka përshkuar zonën e Astirit, ndërsa policia i është vënë në ndjekje.
Gjatë ndjekjes, italiani ka kryer manovra të rrezikshme dhe është përplasur me disa makina deri sa në fund u arrestua nga Policia.
