ShowBizzz

Detaje nga sëmundja me kancer e Priceshës së Uellsit, “presioni” që bie mbi William

Një ditë më parë, përmes një videoje të publikuar në rrjetet sociale, bashkëshortja e princit William njoftoi se ishte e sëmurë me kancer.

Princesha e Uellsit kërkoi “kohë, hapësirë dhe privatësi” teksa trajtohet. Për momentin, ajo do të anashkalojë detyrimet e saj mbretërore.

“Në janar iu nënshtrova një ndërhyrjeje kirurgjike në bark dhe atëherë mendohej se gjendja ime ishte jokanceroze. Ndërhyrja përfundoi me sukses. Sidoqoftë, testet pas operacioni konstatuan se kanceri ishte i pranishëm. Rrjedhimisht, ekipi im mjekësor më këshilloi që t’i nënshtrohem një sesioni kimioterapie parandaluese dhe aktualisht jam në fazat e para të trajtimit”, deklaroi Princesha.

Në video, bashkëshortja e princit William foli për dy muaj jashtëzakonisht të vështirë në familje dhe falënderoi ekipin mjekësor “fantastik” që u kujdes për të. Njoftimi erdhi pas muajsh të tërë spekulimesh mbi shëndetin e saj.

CNN shkruan se pas sëmundjes së Kate, linja e trashëgimisë tani është nën presion ekstrem nga lart. Princi William, të cilin Kate e vlerësoi si “një burim të madh ngushëllimi dhe sigurie”, do t’i duhet të vazhdojë me kujdesin për gruan dhe fëmijët e tij duke ruajtur orarin e tij publik.

Ai do të mbështetet nga Mbretëresha Camilla dhe shtatë anëtarët e tjerë mbretërorë më pak të njohur, por si i radhës për fronin, prania e tij është e nevojshme për të siguruar kombin se Kurora është e fortë.

Kujtojmë se më herët është diagnostikuar me kancer dhe Mbreti Charles III.