Një ngjarje e rëndë kriminale është parandaluar në zonën e Malit të Robit në Golem, ku 47-vjeçari Melison Nela u kap i armatosur, teksa dyshohet se po shkonte të hakmerrej ndaj personave që kishin dhunuar nipin e tij.
Ngjarja nisi pas një konflikti në një hotel të zonës, ku 18-vjeçari Genti Nela, i cili punonte si kamerier, është dhunuar pas një konflikti lidhur me pagesën për punën e kryer. I riu ndodhet në Spitalin e Kavajës, nën kujdesin e mjekëve.
Policia, e njoftuar për konfliktin, ndërhyri menjëherë në hotel. Gjatë veprimeve hetimore, shërbimet morën informacion në rrugë operative se xhaxhai i 18-vjeçarit, Melison Nela, 47 vjeç, ishte nisur drejt hotelit i armatosur, me qëllim vrasjen e personave që kishin dhunuar nipin.
Policia e ndaloi automjetin e 47-vjeçarit në afërsi të hotelit. Gjatë kontrollit, në një çantë shpine u gjet një kallashnikov, tre karikatorë dhe 84 fishekë luftarakë.
Ndërkohë, hetimet zbuluan se pas konfliktit, vendi i ngjarjes ishte pastruar. Gjithashtu, ishte hequr DVR-ja e kamerave të sigurisë dhe ishin prerë kabllot e tyre.
Në lidhje me dhunimin e 18-vjeçarit, policia vuri në pranga Florian Habilajn, 28 vjeç, dhe Enold Dragotin, 20 vjeç, ndërsa Arbër Habilaj, 36 vjeç, u shpall në kërkim. Në gjendje të lirë po procedohet 36-vjeçari Melison Nela.
Ndërkohë, në pranga u vu edhe 47-vjeçari Melison Nela, xhaxhai i 18-vjeçarit Genti Nela, i cili u kap me kallashnikov, tre karikatorë dhe 84 fishekë në automjet.
Hetimet vijojnë në bashkëpunim me Prokurorinë për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe dokumentimin ligjor të ngjarjes.
