Një nga personat kyç në çështjen që tronditi Hollywood-in pas vdekjes së aktorit të njohur Matthew Perry është dënuar me burg. Eric Fleming, 56 vjeç, një këshilltar rehabilitimi nga droga, u dënua me dy vjet burg pasi pranoi se kishte furnizuar ketaminën që lidhet me vdekjen e aktorit të serialit legjendar Friends.
Fleming u deklarua fajtor në vitin 2024 për komplot për shpërndarje të ketaminës dhe për shpërndarje të një substance që çoi në vdekje ose dëmtime të rënda trupore. Sipas autoriteteve, ai ishte personi që e lidhi aktorin me trafikanten e drogës Jaswin Sanga, e njohur ndryshe si “Mbretëresha e Ketaminës”.
Prokurorët zbuluan se Sanga jetonte një jetë luksoze dhe ishte një figurë e njohur në rrjetet e shpërndarjes së kësaj substance. Ajo u dënua muajin e kaluar me 15 vite burg, ndërsa Fleming konsiderohet një hallkë kyçe në zinxhirin që çoi në tragjedinë e aktorit.
Sipas dokumenteve të gjykatës, Fleming ndihmoi në shpërndarjen e plot 51 shisheve me ketaminë për Perry-n gjatë tetorit 2023, përfshirë edhe dozën fatale. Gjatë seancës në gjykatën federale në Los Angeles, ai u shpreh i penduar: “Ky është një makth nga i cili nuk mund të zgjohem. Gabimet e mia më ndjekin.”
Në një letër drejtuar gjykatës, ai pranoi përgjegjësinë e plotë dhe kërkoi falje publike për familjen e aktorit. “E dija çfarë kisha bërë dhe e kuptoja sa dhimbje do t’u shkaktonte vdekja e tij atyre që e donin. Jam i shkatërruar nga turpi dhe pikëllimi,” shkroi ai.
Matthew Perry ndërroi jetë më 28 tetor 2023 në moshën 54-vjeçare, pasi u gjet pa shenja jete në vaskën e shtëpisë së tij në Los Angeles. Raporti i mjekut ligjor konfirmoi se vdekja u shkaktua nga efektet akute të ketaminës, ndërsa mbytja u listua si faktor dytësor.
Hetimet zbuluan gjithashtu se Fleming, pavarësisht se ishte këshilltar për varësinë, ndodhej vetë në një periudhë rikthimi dhe kishte vepruar për përfitime financiare. “Ia dhashë ketaminën sepse doja para dhe besoja se po ndihmoja një mik. Nuk e imagjinoja kurrë këtë fund tragjik,” pranoi ai.
Ai ishte i pari nga pesë të pandehurit që u deklarua fajtor për akuzat që lidhen me vdekjen e aktorit. Deri më tani, katër prej tyre janë dënuar, përfshirë edhe dy mjekë që kishin rol në furnizimin e substancës. Ndërkohë, asistenti personal i Perry-t pritet të përballet me vendimin e gjykatës në muajt në vijim.
