Lajme

Detajet/ Dashuria që u kthye në tragjedi – Vrasja “shqiptare” që tronditi Athinën

Detaje të reja janë bërë publike nga ngjarja e rëndë e ndodhur mëngjesin e sotëm në Nea Smyrni të Athinës, ku një 45-vjeçare u vra me armë zjarri nga një 48-vjeçar, i cili më pas i dha fund jetës.

Sipas hetimeve paraprake të autoriteteve greke, viktima dhe autori kishin pasur një marrëdhënie në të kaluarën, ndërsa dyshohet se mes tyre kishte pasur konflikte.

Në vitin 2024, gruaja kishte bërë kallëzim ndaj 48-vjeçarit në Stacionin e Policisë së Akropolit, duke e akuzuar për përvetësim prone. Sipas dëshmisë së saj, ai i kishte marrë një motoçikletë.

Megjithatë, deri tani nuk është evidentuar ndonjë denoncim i mëparshëm për dhunë në familje mes tyre.

Ngjarja është zbardhur pjesërisht përmes pamjeve të kamerave të sigurisë së një pallati, të cilat kanë regjistruar momentet para dhe gjatë krimit.

Sipas të dhënave të deritanishme, autori kishte pritur 45-vjeçaren në makinën e tij, pranë hyrjes së pallatit në rrugën Grigoriou Kydonias, nr. 3.

Kur gruaja mbërriti, mes tyre nisi një debat i ashpër. Pak çaste më vonë, 48-vjeçari qëlloi ndaj saj në kokë dhe në trup, ndërsa më pas ktheu armën nga vetja dhe u vetëvra.

Viktima është identifikuar si Julieta Obzova, e lindur në Shqipëri në vitin 1981 dhe me dokumente identifikimi greke.

Sipas informacioneve paraprake, ajo nuk jetonte në pallatin ku ndodhi krimi, por kishte shkuar aty pasi vajza e saj banonte në atë ndërtesë.

Autori është identifikuar si Altin Allmuça, me origjinë nga Tirana, i cili jetonte në Kallithea.

Në vendngjarje u gjet edhe arma e krimit, një revolver, poshtë trupit të 48-vjeçarit. Fakti që bëhej fjalë për një revolver shpjegon edhe mungesën e gëzhojave në vendin e ngjarjes.

Një tjetër element që po hetohet nga autoritetet janë fotografitë e publikuara nga 48-vjeçari në rrjetet sociale, ku ai shfaqej duke pozuar me armë.

Postimet janë marrë në shqyrtim nga oficerët e Departamentit të Vrasjeve, të cilët po përpiqen të zbardhin të gjitha rrethanat dhe motivin e krimit.

Të shtënat u dëgjuan pak pas orës 05:30 të mëngjesit, duke alarmuar banorët e zonës. Në vendngjarje mbërritën forca të shumta policie dhe ambulanca, por për dy personat nuk kishte më asgjë për të bërë.

Hetimet vijojnë, ndërsa pritet edhe raporti i mjekut ligjor, i cili pritet të përcaktojë numrin e saktë të plumbave që mori 45-vjeçarja dhe detaje të tjera mbi mënyrën e vrasjes.

Të Ngjashme