Detaje të reja kanë dalë në dritë për lëvizjet e 48-vjeçarit Altin Allmuça përpara se të vriste 45-vjeçaren, bashkatdhetaren e tij, në Nea Smyrni dhe më pas t’i jepte fund jetës.
Sipas informacioneve, para se të largohej nga banesa, ai i la bashkëshortes 1 mijë euro, duke i thënë: “Mbaji që të kesh para”. Më pas shkoi në Nea Smyrni, ku qëlloi për vdekje 45-vjeçaren dhe menjëherë pas krimit kreu vetëvrasje.
Bashkëshortja e 48-vjeçarit, e thirrur për të dëshmuar, ka deklaruar se prej rreth 18 muajsh kishte vënë re një ndryshim të ndjeshëm në sjelljen e tij. Sipas saj, ai mungonte shpesh në shtëpi dhe kishte net kur flinte diku tjetër, ndërsa ajo nuk e dinte se ku qëndronte apo nëse kishte një lidhje tjetër.
Gruaja mësohet se u ka thënë autoriteteve se kishte frikë prej tij. Edhe 45-vjeçarja, sipas dëshmisë së motrës, i kishte treguar se kishte vendosur t’i jepte fund marrëdhënies me 48-vjeçarin për shkak të xhelozisë dhe se kishte frikë nga këmbëngulja e tij.
Hetuesit po analizojnë pamjet e kamerave të sigurisë, të cilat kanë regjistruar momentet e krimit. Sipas të dhënave paraprake, 48-vjeçari priti 45-vjeçaren jashtë banesës dhe, sapo ajo doli, e qëlloi me armë, përpara se të drejtonte armën ndaj vetes.
Autoritetet po shqyrtojnë gjithashtu pajisjet elektronike të tij, si dhe të kaluarën e tij në Shqipëri, ku sipas informacioneve ishte arrestuar në Tiranë në vitin 2016 nën akuzën për përdhunimin e bashkëshortes.
