Jared Kushner, dhëndri i ish-presidentit amerikan Donald Trump, ka reaguar i emocionuar për projektin që ai ka në ishullin e Sazanit dhe bregdetin e jugut në Shqipëri. Kompania e tij pritet të investojë 1 miliardë dollarë për vila e resorte turistike.
“Të emocionuar për të ndarë disa imazhe të hershme të projektimit për projektet e zhvillimit që kemi krijuar për bregdetin shqiptar dhe qendrën e Beogradit”, shkruan Jared Kushner.
Një tjetër projekt ambicioz i tij në Ballkan përfshin dhe rizhvillimin e tre blloqeve të braktisura në zemër të Beogradit, Serbi. Këto blloqe, të mbetura bosh që nga bombardimet e NATO-s në prill 1999, janë planifikuar të shndërrohen në një hotel luksoz, hapësirë tregtare dhe mbi 1500 rezidenca.
Pamjet që ai ndan nga investimi madhor që pret ishullin e Sazanit dhe gadishullin e Zvërnecit janë vërtet spektakolare, me vila që janë vendosur në shpatin e ishullit ushtarak dhe shikojnë nga deti përmes dhomave prej xhami e ballkoneve panoramikë.
Ishulli i Sazanit në jug të Shqipërisë mund të kthehet shpejt në një nga atraksionet turistike më të preferuara në Ballkanin Perëndimor. Ky është synimi i kompanisë private “Affinity Partners”, e cila planifikon të investojë 1 miliardë dollarë për transformimin e ishullit.
Media amerikane “Bloomberg” raportoi se marrëveshja është në fazën përfundimtare. Megjithatë, në Shqipëri nuk ka pasur asnjë lajm apo deklaratë për këtë mundësi investimi dhe se me cilët zyrtarë e institucione po zhvillohen bisedimet.
“Firma me bazë në Miami po shikon transformimin e ishullit të Sazanit në Shqipëri, më parë një bazë ushtarake, në një komunitet luksoz eko-resort të markës Aman”, shkruan media amerikane, teksa zbulon dhe një projekt ambicioz për Zvërnecin.
Kompania private “Affinity Partners” planifikon të zhvillojë dhe Gadishullin e Zvërnecit në Shqipëri, duke synuar të prezantojë disa resorte kryesore me afro 10,000 njësi vilash dhe dhoma hoteli. Vetë dhëndri i ish-presidentit Donald Trump në një intervistë për “Bloomberg”, shprehu admirimin e tij për ishullin e Sazanit, duke e përshkruar atë si një nga brigjet më të pacenuara dhe unike në botë.
Jared Kushner, ish-këshilltar i lartë i Shtëpisë së Bardhë dhe dhëndri i ish-Presidentit Donald Trump, themeloi Affinity Partners pasi la shërbimin qeveritar. Firma, me asete që arrijnë në 3.1 miliardë dollarë, ka marrë mbështetje të konsiderueshme nga investitorë të mbështetur nga shteti i Lindjes së Mesme, duke përfshirë rreth 2 miliardë dollarë nga Fondi i Investimeve Publike të Arabisë Saudite.
Firma e Kushner është gjithashtu duke eksploruar investime në energjinë e rinovueshme, qendrat e të dhënave dhe inteligjencën artificiale.
View this post on Instagram
A ju ndihmoi ky artikull?PoJo