Lajme

Dhunimi i qytetarëve për guroren e Rrajave, policia ia lë fajin prokurorisë: Kemi dorëzuar tre materiale hetimore

Policia e Shtetit ka bërë një deklaratë me anë të së cilës shpjegon të gjithë veprimet e saj në lidhje me çështjen e gurores në pronësi të fisit Rraja në Borizanë të Krujës që mori përmasa të mëdha për shkak të rrahjes së dy qytetarëve nga anëtarët e pronareve të aktivitetit.

Policia thotë se ka referuar që në muajin maj në Prokurori kallëzimin pas denoncimit të bërë nga shtetasi B.Maja.

Pesë ditë më vonë, policia dorëzoi edhe një material shtesë duke referuar veprën penale “Shkatërrim prone”.

Ndërsa më datë 30 maj në Prokurori u referuan materiale shtesë për plotësimin dhe dokumentimin e plotë të rastit.

Me anë të kësaj deklarate policia i kalon topin Prokurorisë pasi thotë se ka ndërmarrë të gjitha veprimet sipas ligjit dhe i ka kërkuar organit të akuzës që të bëjë hetime të thelluara.

“Në vijim të informacioneve të dhëna rreth konfliktit të ndodhur në Borizanë, më datë 06.07.2023, ju bëjmë me dije se:

1.Policia e Krujës, në përmbushje të plotë të detyrave funksionale, pas denoncimit të bërë nga shtetasi B. M., për shkatërrim të pronës, ka kryer të gjitha veprimet e nevojshme policore, dhe më datë 05.05.2023 ka referuar në Prokurori, me shkresën nr. 1408, materialet procedurale prej 20 faqesh, mbi këtë kallëzim. Materialet procedurale të referuara përfshinin informacionin e referimit të veprës penale, procesverbalin e kallëzimit, procesverbalin e këqyrjes së vendit, procesverbalin e deklarimeve dhe procesverbalin e këqyrje-marrjes së provave materiale.

2.Në vijim, si rezultat i veprimeve konkrete hetimore dhe procedurale të kryera mbi këtë kallëzim, Policia e Krujës, më datë 10.05.2023, ka referuar në Prokurori, me shkresën nr. 1466, materialet procedurale prej 186 faqesh, për veprën penale “Shkatërrimi i pronës”, parashikuar nga neni 150 i Kodit Penal. Materialet e para procedurale përfshinin referimin e veprës penale, procesverbalin e këqyrjes së vendit të ngjarjes, procesverbalet e këqyrjes së banesave, procesverbalet e deklarimeve të personave që kanë djeni, vendimin për caktimin e ekspertit dhe për caktimin e ekspertimit teknik, si dhe procesverbalin për këqyrjen dhe marrjen e dokumenteve.

3.Gjithashtu, në vijim të veprimeve policore për këtë rast, Policia e Krujës, më datë 30.05.2023, ka referuar në Prokurori, me shkresën nr. 1466/1, materiale procedurale shtesë të kryera në funksion të dokumentimit të plotë ligjor të këtij rasti.

Theksojmë se Policia e Krujës ka kryer të gjitha veprimet e nevojshme procedurale për këtë rast, me paanshmëri dhe konform ligjit, me qëllim dokumentimin e plotë ligjor të përgjegjësisë penale të shtetasve përgjegjës. Kallëzimi i marrë për këtë rast, si dhe çdo indicie tjetër, janë trajtuar në zbatim të procedurave standarde të punës dhe çdo material procedural i është referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për kryerjen e hetimeve të thelluara.

Policia e Shtetit siguron qytetarët se është e vendosur për të zbatuar ligjin me korrektësi dhe me paanshmëri, si dhe për të ndëshkuar ligjërisht, cilindo që cenon liritë dhe të drejtat e qytetarëve”-njofton policia.

Kujtojmë se anëtarë të fisit Rraja dhunuan barbarisht dy burra të fisit Maja që denoncuan prishjen e shtëpive nga shpërthimi i minave në gurore.

Pas videos me material dhunues, u shkarkua e gjitha trupa policore drejtuese dhe zbatuese në Fushë Krujë si dhe dha la mandatin deputeti Rrahman Rraja për shkak të përfshrirjes në skenat e dhunës të djalit të tij.

Gjithashtu ky rast solli shkarkimin e Bledi Çuçit nga ministri i Brendshëm i cili u zëvendësua me Taulant Ballën.