Lajme

Dhunoi babain me sende të forta, pranga të riut në Korçë (Emri)

Një tjetër rast i dhunës brenda familjes është regjistruar sot në qytetin e Korçës.

Policia bën me dije se djali ka qëlluar në kokë babanë e tij 52-vjeçar , i cili si pasojë e plagëve të marra është transportuar në Tiranë për mjekim të specializuar.

Blutë njoftojnë se është kryer arrestimi i autorit, i identifikuar si 24-vjeçari Adriel Kabashi.

Njoftimi i policisë:

Korçë/U raportua fillimisht si ngjarje aksidentale, por pas hetimeve të thelluara nga grupi hetimor zbardhet ngjarja e ndodhur mesditën e sotme në lagjen nr. 17, Korçë, ku u dëmtua me mjete të forta një 52-vjeçar.

Vihet në pranga djali i tij, i cili goditi me mjete të forta babain, pas një konflikti për motive të dobëta.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Korçë, mesditën e sotme, pas marrjes së njoftimit se në spitalin e Korçës, kishte shkuar i dëmtuar në kokë shtetasi A. K., 52 vjeç, banues në fshatin Vranisht, Devoll, menjëherë kanë shkuar në spital me qëllim verifikimin e rastit. Fillimisht 52-vjeçari ka deklaruar se ishte dëmtuar gjatë kohës kur po punonte në punishten e tij në lagjen nr. 17, Korçë, ku i kishin rënë disa mjete të forta në kokë.

Pas hetimeve të thelluara të kryera nga grupi hetimor, këqyrja e pamjeve filmike të vendngjarjes dhe provave të tjera të grumbulluara, u bë e mundur zbardhja e plotë e rrethanave të kësaj ngjarjeje, ku rezultoi se 52-vjeçari ishte goditur me mjete të forta nga djali i tij shtetasi A. K., 24 vjeç, gjatë një konflikti për motive të dobëta.

Në vijim të veprimeve procedurale, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit A. K., 24 vjeç, për veprën penale “Dhuna në familje”, ndërsa 52-vjeçari u transportua në Tiranë për mjekim të specializuar.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme.