Një ndryshim global drejt dietave më të shëndetshme, i kombinuar me bujqësi më efikase dhe reduktim të mbetjeve ushqimore, mund të ulë me 85 për qind emetimet e gazeve serrë nga ndryshimi i përdorimit të tokës për qëllime bujqësore deri në vitin 2050, transmeton Anadolu.
Studimi i publikuar javën e kaluar në revistën Nature zbuloi se miratimi i dietave më të shëndetshme do të ulte kërkesën për prodhimin blegtoral, duke liruar toka bujqësore dhe duke riformësuar prodhimin ushqimor në mbarë botën.
Sipërfaqja globale e tokave bujqësore mund të zvogëlohet deri në 6 për qind krahasuar me tendencat aktuale, ndërsa vlera e prodhimit blegtoral mund të bjerë me 42 për qind nga nivelet e vitit 2020.
Ndërkohë, thuhet në studim, vlera e prodhimit të frutave, perimeve, arrave dhe bishtajoreve mund të rritet me 57 për qind, duke reflektuar një zhvendosje drejt ushqimeve me bazë bimore.
Studiuesit modeluan një transformim global të sistemit ushqimor bazuar në rekomandimet e Komisionit EAT-Lancet të vitit 2025, i cili promovon dieta më të shëndetshme dhe më të qëndrueshme.
Studimi theksoi se ky tranzicion mund të përmirësojë gjithashtu shëndetin publik, por do të sillte ndryshime të mëdha ekonomike në sektorin e bujqësisë, me ndikime që do të ndryshonin sipas rajoneve.
Studimi theksoi se gjetjet bazohen në supozimin se konsumatorët do të përqafojnë dieta më të shëndetshme dhe nuk marrin plotësisht parasysh pengesat ekonomike, kulturore ose praktike që mund ta ngadalësojnë një ndryshim të tillë.
