ShowBizzz

“Dikur na bërtisnin se grisnim pantallonat, por ajo paska qenë gjëja më e mrekullueshme!”

Nga Anton Cicani

“Më datë 18.11.2024, rreth orës 13:10, në rrugën “Qema Stafa”, rreth 200-300 metra larg shkollës “Fan Noli” janë konfliktuar 3 shtetas të moshës 14 vjeç. Si pasojë e dëmtimeve të marra gjatë konfliktit, ka ndërruar jetë njëri prej tyre ndërsa tjetri ndodhet në spital, në kujdesin e mjekëve. Është shoqëruar njëri nga autorët e dyshuar, ndërsa grupi hetimor po vijon punën për sqarimin e rrethanave të konfliktit.”…

Kronikë e zezë, e errët, skëterrë! Një njoftim që të drithëron kur lexon moshën. I mituri qe ëndërronte të bëhej futbollist sot nuk jeton më, por brenga e nje familje do te vazhdoje shume gjate deri sa te kene frymen e fundit. Martin Cani mund te ishte femija e cdokujt, shoku i cdokujt, i afermi i cdokujt, komshiu i cdokujt… Dhe si i gjori Martin Cani mund te kete edhe ne te ardhmen sepse “gjaku” qe ka injektuar kjo shoqeri dhe produkti i saj eshte me se shumti “i zi”…

E mbani mend dikur? Kush është disi në moshë dhe ka përjetuar fëmijërinë e di mjaft mirë se gjëja më e keqe që ndodhte ishte të grisnim pantallonat, të bëheshim me njolla, të ndiznim ndoshta ndonjë zjarr mbrëmjeve, të ngjiteshim nëpër pemë për të kapur mollë, dardha e frytë të ndryshme…

Dikur këto konsideroheshin veprime të gabuara dhe na qortonin. Dhe ne ndiheshim në faj përpara prindit, ulnim kokën dhe shpeshherë shkonim të flinim edhe pa darkë për të shlyer “fajin”. Kishte respekt për prindin, për familjen, kishte unitet, ekzistonte ndasia e roleve dhe sigurisht e detyrave e përgjegjësive.

Me kalimin e viteve, me zhvillimin teknologjik, modernizmin por sidomos hapjen e frikshme të rrjeteve sociale dhe horizontit tashmë edukativ edhe në format më të “vyera”, produkti që po lind vazhdimisht, po zhvillohet dhe po përfundon është gjithmonë e më shumë i shtyrë drejt një jete problematike, drejt një shoqërie abuzuese, drejt një krenarie gangsteri por më e keqja, drejt imitimit real të filmave me krime, vrasje, dhunë dhe kërcënime.

E nëse zhvillimi duhej marrë si avantazh, në këtë rast, u kthye disavantazh. Sepse sot ajo që brezi i ri dëshiron të bëjë është të përpiqet të pasurohet shpejt, të shijojë jetën e ashtuquajtur të luksit, të vishet me roba të shtrenjta dhe jo më me ato pantallonat që ne na griseshin dikur, të blejë makinë sa më shpejt, të ketë telefon të fundit dhe gjithashtu të konsumojë alkool, drogë etj etj etj…

Dhe kur i bën këto gjëra, atëherë “të pranon” brezi, je pjesë e tij si një pjesë integrale dhe i respektueshëm, ndërsa ata që dalin nga ky rreth bullizohen, shpeshherë futen në një siklet emocional brenda mureve të shtëpisë ose edhe kanë nevojë për psikolog që në moshë të re.

Shteti është rregullatori por rregulli ka kohë që është sheshuar! Ekziston vetëm… liria e theksuar në anarki dhe e pasqyruar në format e saj më agresive. Sot një fëmijë mund t’i bërtasë dhe të godasë mësuesin e tij, mund të ushtrojë dhunë mbi prindin, mund tia kthejë dorën, sepse ai ka mësuar se është “i paprekshëm”.

Ato principe për të cilat luftuan shumë, sot iu kthyen kundër dhe ajo që u mbetet është vetëm të shkruajnë dy vargje për të kaluar nga një tragjedi në tjetrën. Rëndësi ka që brezi mori “lirinë” totale… Fundja, pantallonat e grisura mund t’i blejë vetë!”



lokimagazine