Lajme

Dita Botërore e Edukimit Mjedisor, Balla apel për rritje të ndërgjegjësimit publik

Sot 26 janar është Dita Botërore e Edukimit Mjedisor për rritjen e ndërgjegjësimit publik mbi çështjet mjedisore.

Me rastin e kësaj dite, ministri i Brendshëm Taulant Balla thotë se parandalimi dhe adresimi i problemeve mjedisore mbetet një sfidë për çdo vend perfshirë Shqipërinë. Përmes një postimi në Facebook, Balla apeloi për rritje të ndërgjegjësimit publik mbi çështjet mjedisore.

Balla tha se hedhja e sendeve nga automjetet në lëvizje, përbën rrezik për aksidente, ndërsa u kërkoi shërbimeve të Policisë të jenë të vëmendshme ndaj kësaj shkeljeje, nga çdo subjekt a qytetar.

Postimi i plotë i ministrit Taulant Balla në Facebook

Sot është Dita Botërore e Edukimit Mjedisor për rritjen e ndërgjegjësimit publik mbi çështjet mjedisore. Parandalimi dhe adresimi i problemeve mjedisore mbetet një sfidë për çdo vend perfshirë Shqipërinë.

Kodi Rrugor dhe ligjet e tjera për mbrojtjen e mjedisit ndalojnë:

⛔️ të hidhen ose të grumbullohen mbeturina ose materiale të çfarëdo lloji;
⛔️ të sillet ose të shpërndahet baltë edhe nëpërmjet rrotave të mjeteve që vijnë nga hyrje ose degëzime;
⛔️ të shkarkohen në kanale dhe hendeqe, pa leje të rregullt, materiale të çfarëdo lloji ose të kanalizohen në to ujëra të çfarëdo natyre;
⛔️ të hidhen sende të çdo lloji nga mjeti në lëvizje.

Hedhja e sendeve nga automjetet në lëvizje, përbën rrezik për aksidente, si dhe krijon një imazh të shëmtuar përgjatë rrugëve tona. Ky është në fakt edhe prezantimi i parë me syrin edhe të turistëve që vizitojnë Shqipërinë. Ndaj Policia Rrugore👮👮‍♀️🚔 do ta konsiderojë një prioritet zbatimin e Kodit dhe ligjeve të tjera.

Dhe, nëse është e nevojshme do ta përforcojmë masën ndëshkimore. Shërbimet e Policisë duhet të jenë vecanërisht të vëmendshme ndaj kësaj shkeljeje, nga çdo subjekt dhe çdo qytetar. Duhet të shfrytëzojmë edhe informacionin që mbledhin kamerat e sigurisë të subjekteve që janë vendosur përgjatë rrugëve dhe autostradave. Por ndërkohë, u bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve, që të denoncojnë me foto dhe video automjetet nga të cilat hidhen mbeturina në rrugë.

A ju ndihmoi ky artikull?PoJo