Lajme

Dita e pestë e fushatës sjell tubime të reja të partive politike

Subjektet politike në vend kanë paraparë një sërë aktivitetesh dhe takimesh me qytetarët gjatë së hënës, në kuadër të fushatës për zgjedhjet e 7 qershorit.

LDK-ja do të zhvillojë tri tubime kryesore gjatë mbrëmjes. Fillimisht, në orën 17:00 do të takohet me qytetarët në Rahovec, në Shtëpinë e Kulturës “Mensur Zyberaj”. Më pas, në orën 18:30, aktiviteti do të vazhdojë në Prizren, në Sheshin e Lidhjes, ndërsa dita do të përmbyllet me një tubim në Dragash, i planifikuar për orën 20:00 në ambientet e Hotelit “Meka”.

PDK-ja ka parashikuar disa ngjarje elektorale gjatë ditës. Në orën 16:00 do të organizojë një takim me gratë në Hotelin “Emerald”. Pas kësaj, në orën 18:00 do të mbajë tubim në Malishevë, në oborrin e shkollës “Ibrahim Mazreku”, ndërsa në orën 19:30 do të zhvillojë një aktivitet tjetër në Drenas, në sheshin “Fehmi Lladrovci”.

Edhe Lëvizja Vetëvendosje do të jetë aktive në disa komuna. Tubimi i parë është planifikuar për orën 17:30 në Rahovec. Në orën 19:00, partia do të mbajë takim me qytetarët në Suharekë, në Shtëpinë e Kulturës, ndërsa aktiviteti i fundit i ditës do të zhvillohet në Malishevë, në shkollën “Ismail Qemali” në Bellanicë, duke nisur nga ora 21:00.

Ndërkohë, Aleanca ka njoftuar se do të organizojë një tubim zgjedhor në Gjilan. Aktiviteti do të mbahet në Amfiteatrin e parkut të lagjes Dardania dhe është paraparë të fillojë në orën 18:00. /teve1.info/

Të Ngjashme