Moti i paqëndrueshëm do të na shoqërojë përgjatë gjithë javës. Sinoptikanët parashikojnë që paraditet të jetë me diell ndërsa në drekë të ketë reshje, herë pas here edhe në formën e shtrëngatave.
“Reshjet janë kryesisht të fokusuara në zonat malore, në verilindje e qendër të vendit, ku nuk mungojnë rrebeshe herë pas here apo breshëri duke sjellë dhe probleme në akset rrugore.
Reshje më të pakta ka në zonën e bregdetit, megjithatë do jenë prezente.
Parashikohet që deri të Premten, moti të jetë paradite me diell, pasdite me reshje dhe mbrëmja prapë e kthjellët.”
Duke qenë se po vjen fundi i pranverës dhe zyrtarisht pak ditë na ndajnë nga vera, këtë javë pavarësisht prezencës së reshjeve temperaturat do të jenë të larta.
“E gjithë java nga e Hëna në të Premte, nuk është se presim luhatje të theksuara të vlerave termike, duke përjashtuar të Martën që do ketë rënie me 2 gradë.”
Sipas parashikimeve të sinoptikanëve, reshjet e shiut do të jenë prezente në vendin tonë deri në 10 ditëshin e parë të muajit Qershor.