Lajme

Ditari i luftës: SHBA i jep goditje të fortë Putin, sanksionon Alfa Group

SHBA i jep goditje të fortë Putin, sanksionon Alfa Group, shoqërinë më të madhe tregtare në Rusi
Departamenti amerikan i Thesarit vendosi të premten sanksione financiare kundër katër rusëve në bordin e Alfa Group, një nga konglomeratet më të mëdha të Rusisë me interesa në naftë, gaz natyror dhe banka.

Sanksionet janë pjesë e përpjekjeve të vazhdueshme për të vendosur kufizime në ekonominë e Rusisë dhe ndërmjetësve të saj më të pasur, në përgjigje ndaj pushtimit të Ukrainës vitin e kaluar dhe luftës që pasoi. Të sanksionuar nga Thesari janë Petr Olegovich Aven, Mikhail Maratovich Fridman, German Borisovich Khan dhe Alexey Viktorovich Kuzmichev.

“Elitat e pasura ruse duhet të heqin dorë nga ideja se mund të operojnë me biznesin e tyre si zakonisht, ndërkohë që Kremlini bën luftë kundër popullit ukrainas,”- tha Zëvendës Sekretari i Thesarit Wally Adeyemo.

“Koalicioni ynë ndërkombëtar do të vazhdojë të mbajë përgjegjës ata që mundësojnë pushtimin e pajustifikuar dhe të paprovokuar të Ukrainës.”

I sanksionuar është edhe Unioni Rus i Industrialistëve dhe Sipërmarrësve. Grupi është i përfshirë në sektorin e teknologjisë dhe ka ndihmuar Rusinë që të kundërshtojë sanksionet e tjera që rrjedhin nga lufta, tha Departamenti i Thesarit.

Të katër personat tashmë ishin sanksionuar nga Australia, Kanadaja, Bashkimi Evropian, Zelanda e Re dhe Mbretëria e Bashkuar.

Fridman është themelues i Alfa Group dhe renditet si një nga manjatët më të pasur të Rusisë. Alfa Bank e grupit, banka më e madhe joshtetërore e Rusisë, u sanksionua nga BE në mars 2022. Fridman u largua nga bordi më pas në përpjekje për të ndihmuar bankën që të shmangte sanksionet.

Aven drejtoi Alfa-Bank deri në mars 2022, por si Fridman u largua nga bordi pas sanksioneve të BE-së. Sanksionet kundër individëve do të thotë që atyre u bllokohet aksesi në pronat dhe interesat e tyre financiare që kanë në SHBA.