Lajme

Djali vetëm, çifti bashkëshortve dhe një gjyshe, fotot e viktimave të aksidentit

Riza Rrapaj apo “Xakja” siç i thërrisnin shokët e tij ishte vetëm 42 vjeç. Është një nga viktimat e aksidentit të tmerrshëm të mbrëmjes së djeshme në Tepelenë. Më e keqja e familjes Rrapi nga Iznori është se ai ishte djalë i vetëm. Familja ka hapur dyert e mortit dhe dhimbja ka përshkruar gjithë qytetin e zonat përreth.

Rizai prej pak kohësh kishte filluar punën në OSHEE dhe njerëzit e çmonin për dashamirësinë, njerzillëkun dhe ndihmën e menjëhershme të tij sa herë kërkohej.

Për familjarët, të afërmit, shokët e miqtë nuk ka fjalë të përshkruhet dhimbja e madhe për ikjen e djalit të vetëm.

Por nuk është kjo humbja më e madhe.

Nga një familje në Memaliaj, dy bashkëshortë, Ladi Bega 62 vjeç dhe Lumturia (57 vjeç) humbën jetën po ashtu, si dhe 85-vjeçarja, Afërdita Begaj. Tre arkivolë janë vendosur dhe në familjen e tyre në Memaliaj nga mbrëmja e djeshme janë hapur dyert e mortit. Ceremonia për përcjelljen në banesën e fundit të çiftit bashkëshortor dhe 82-vjeçares do të kryhet sot në orën 14.00 në qytetin e Memaliajt.

Çifti bashkëshortor ka lënë pas fëmijët, por edhe shumë të afërm e familjarë që nuk kanë kursyer gjatë këtyre orëve fjalët ngushëlluese për këtë humbje të tmerrshme.

Aksidenti ndodhi mbrëmjen e së dielës, në 17 mars, në by-passin e Tepelenës, poshtë Kalasë dhe u mori jetën 4 persona. Një prej automjeteve është përplasur me dy automjete të tjera në krahun e kundërt, pasi shoferi humbi kontrollin mbi mjetin. Përveç 4 personave që humbën jetën, ka edhe 2 të tjerë të plagosur që po trajtohen në spitalin e traumës në Tiranë.

Siç u pa edhe nga pamjet, tre automjetet janë shkatërruar plotësisht nga përplasja.

Dyshohet se shkak për humbjen e kontrollit të mjetit që shkaktoi aksidentin ka qenë rrëshqitja në terren të lagësht dhe shpejtësia tej normave të lejuara.

A ju ndihmoi ky artikull?PoJo