Lajme

Do pastronin paratë e “Cosa Notras”-s në Shqipëri, dënohen me 21 vite burg kunati dhe shoferi i Rezart Taçit

Artur Balla dhe Bledar Lilo, kunati dhe shoferi i biznesmenit në kërkim Rezart Taçi, janë shpallur fajtorë nga Gjykata e Posaçme dhe janë dënuar të dy me 21 vite burg në total. Kërkesa e SPAK është pranuar dhe ata janë shpallur fajtorë për “Pastrim parash”.

Sipas SPAK, ata janë angazhuar dhe kanë vepruar në vendin tonë për llogari të ish-bosit të “ARMOS”.

Një vit më parë, SPAK në bashkëpunim me autoritetet homologe italiane finalizoi operacionin për prangosjen e disa personave dhe sekuestrimin e mbi 18 milionë eurove, të cilat u bllokuan në një bankë të nivelit të dytë në Tiranë. Ato ishin nisur nga Italia dhe do pastroheshin në Shqipëri.

Në vendin tonë u arrestuan kunati dhe shoferi i Taçit, ndërsa në Itali të prangosur ishin disa. Vetë biznesmeni shqiptar është shpallur në kërkim ndërkombëtar.

Kontabilisti Fabio Petruzzella, dyshohet se ka vendosur më shumë se 18 milionë euro në një llogari bankare në Tiranë, për të shpëtuar këtë shumë parash nga konfiskimi në Itali. Kundrejt përfitimit në përqindje ai është ndihmuar nga Rezart Taçi. Në këtë skemë të madhe mashtrimi janë përfshirë në total katër shtetas të huaj, tre italianë dhe një zviceran.

Gjithashtu është kërkuar konfiskimi dhe kalimi në favor të shtetit i shumës monetare prej 18,399,941.50 (tetëmbëdhjetë milion, e treqind e nëntëdhjetë e nëntë mijë, e nëntëqind e dyzet një, pikë pesëdhjetë) Euro, ndodhur në llogarinë bankare në emër të Francesco Zummo, në Bankën Alpha, Tiranë, të sekuestruara gjatë fazës së hetimit paraprak nga Prokuroria e Posaçme.

Çështja penale në ngarkim të të pandehurit Rezart Taçi është ndarë gjatë fazës së seancës paraprake dhe do të gjykohet si çështje penale më vete, për shkak se ky i pandehur është në mungesë dhe duhet të kryhen proçedurat e nevojshme të parashikuara në Kodin e Proçedurës Penale për të pandehurit që gjykohen në mungesë.

Akuza e SPAK ndaj Taçit dhe të tjerëve

“Në përfundim të hetimeve paraprake lidhur me këtë procedim penal është arritur në përfundimin se të pandehurit Rezart Taçi, Artur Balla dhe Bledar Lilo, në bashkëpunim me shtetasit italian Francesco Zummo, Fabio Petruzzella, Daniele Cestagalli dhe disa persona të tjerë, në bashkëpunim me njëri tjetrin në formën e grupit të strukturuar kriminal, kanë organizuar një skeme komplekse financiare të kundraligjshme, të shtrirë në disa shtete të ndryshme, që ka pasur si qëllim “pastrimin” e një shume monetare të konsiderueshme që përbën produkt të veprimtarisë kriminale.

Pjesë e kësaj skeme financiare, me ndihmën e shtetasve shqiptarë të përfshirë, ka qenë edhe kryerja e disa veprimeve dhe transaksioneve bankare në një bankë të nivelit të dytë në Shqipëri, veprime të cilat janë realizuar vetëm pjesërisht dhe nuk është arritur që të realizohen plotësisht, për shkak të veprimeve hetimore të kryera nga ana e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Janë mbledhur prova se ndihma në këtë rast për transferimin dhe fshehjen e shumës monetare është bërë kundrejt premtimit për marrjen e përqindjes së caktuar të përfitimit monetar, në raport me shumën monetare që është transferuar në Shqipëri dhe që do të vijonte të transferohej në vende të tjera.”