Zyrtarët e Doganës së Kosovës, gjatë ushtrimit të kontrolleve doganore në një dërgesë postare, kanë zbuluar substancë të dyshuar narkotike të llojit kanabis.
Gjatë kontrollit të dërgesës përmes pajisjeve të skanimit, si dhe bazuar në dyshimet e krijuara nga zyrtari doganor, është vendosur që dërgesa t’i nënshtrohet kontrollit të detajuar fizik.
“Pas hapjes dhe kontrollimit të dërgesës, janë zbuluar 10 (dhjetë) cigare të mbushura me substancë të dyshuar si kanabis, si dhe 2 (dy) copë torte me përmbajtje të dyshuar të kanabis. Lidhur me rastin, Dogana e Kosovës ka njoftuar Njësinë përkatëse të Antidrogës të Policisë së Kosovës, me qëllim të ndërmarrjes së veprimeve të mëtejshme në përputhje me kompetencat ligjore dhe procedurat në fuqi. Dërgesa dhe përmbajtja e saj janë ndaluar për procedim të mëtejshëm institucional”, njofton Dogana e Kosovws.
Tutje, shkruhet se Dogana e Kosovës do të vazhdojë të ndërmarrë të gjitha veprimet brenda kompetencave të saj ligjore për parandalimin e kontrabandës dhe qarkullimit të kundërligjshëm të mallrave, duke bashkëpunuar me institucionet kompetente për trajtimin e rasteve të tilla.
