Dogana e Kosovës, përmes njësive të Sektorit të Antikontrabandës, ka realizuar sot një operacion kontrolli në Gjakovë, gjatë të cilit janë konfiskuar 121 telefona të markave iPhone dhe Samsung, për të cilët nuk është paraqitur dokumentacion që dëshmon prejardhjen e tyre dhe përmbushjen e detyrimeve doganore.
Gjatë operacionit, zyrtarët doganorë kanë ushtruar kontroll në një subjekt afarist që merret me tregtimin e telefonave celularë dhe pajisjeve elektronike, ku është identifikuar një sasi e konsiderueshme telefonash celularë të modeleve të ndryshme.
Përveç kontrollit në lokalin afarist, kontrollet janë zgjeruar edhe në një banesë, të cilën pronari i biznesit e shfrytëzonte si depo për ruajtjen e mallrave. Edhe në këtë lokacion është zbuluar një sasi e konsiderueshme telefonash celularë.
Gjatë kontrollit dhe verifikimit fillestar, është konstatuar se pronari i biznesit nuk posedonte dokumentacion që dëshmonte origjinën dhe prejardhjen e ligjshme të këtyre pajisjeve, si dhe nuk kishte dëshmi për kryerjen e procedurave të zhdoganimit dhe pagesën e detyrimeve përkatëse doganore.
Dogana e Kosovës ka iniciuar procedurat përkatëse për verifikimin e prejardhjes së mallrave, përcaktimin e detyrimeve eventuale doganore dhe trajtimin e shkeljeve të dyshuara të legjislacionit doganor./teve1.info/
