Lajme

Dorëheqje nën trysninë e Beogradit, KGJK refuzon rikthimin e gjyqtarëve serbë – Haxhiu gati për vulën përfundimtare

Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK) ka refuzuar kërkesën e gjyqtarëve dhe stafit administrativ nga komuniteti serb për tërheqjen e dorëheqjeve dhe rikthimin në sistemin gjyqësor të Kosovës.

Vendimi është marrë në mbledhjen e sotme të KGJK-së, ku kërkesa për rikthimin e tyre është refuzuar me 9 vota për, një kundër dhe një abstenim.

Kryesuesi i KGJK-së, Rrustem Thaqi, ka abstenuar në votim, ndërsa anëtarja e Këshillit, Ivana Milenkoviq, ka votuar kundër vendimit.

Pas këtij vendimi, emrat e gjyqtarëve dhe stafit që kishin dhënë dorëheqje pritet t’i dërgohen ushtrueses së detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, për procedurën e lirimit të tyre nga detyra.

Haxhiu e ka përshëndetur tashmë vendimin e KGJK-së, duke bërë të ditur se do të ndërmarrë hapat e nevojshëm sapo t’i pranojë zyrtarisht propozimet.

“Përshëndes propozimin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës për lirimin nga detyra të gjyqtarëve serbë që kishin dhënë dorëheqje në vitin 2022”, ka shkruar Haxhiu.

Ajo ka theksuar se veprimet e saj do të jenë në përputhje me përgjegjësitë kushtetuese dhe ligjore.

“Në përputhje me përgjegjësitë kushtetuese dhe ligjore, sapo Këshilli Gjyqësor i Kosovës t’i dërgojë propozimet, do të ndërmarrë veprime për lirim nga detyra të tyre”, ka deklaruar ajo, transmeton “Bota sot”.

Dorëheqjet e vitit 2022

Dorëheqjet e gjyqtarëve dhe stafit serb ndodhën në nëntor të vitit 2022, në kuadër të tërheqjes së përfaqësuesve serbë nga institucionet e Kosovës.

Në atë periudhë, dhjetëra gjyqtarë, prokurorë dhe pjesëtarë të stafit administrativ serb u larguan nga institucionet e drejtësisë në veri të Kosovës.

Ky veprim ishte pjesë e një vale më të gjerë dorëheqjesh nga institucionet e Kosovës, ku përfshiheshin edhe pjesëtarë të Policisë së Kosovës dhe zyrtarë të tjerë institucionalë.

Këto dorëheqje erdhën si pjesë e një strategjie të koordinuar politike të udhëhequr nga strukturat politike serbe dhe Beogradi zyrtar. Për këtë arsye, vendimi i sotëm i KGJK-së shihet edhe si refuzim i mundësisë që një largim i tillë institucional, i bërë në rrethana të tensionuara politike, të zhbëhet thjesht përmes tërheqjes së dorëheqjeve.

Përplasjet rreth rikthimit

Në muajt e fundit, çështja e gjyqtarëve serbë të dorëhequr është rikthyer fuqishëm në skenën politike dhe institucionale.

U.d. presidentja Albulena Haxhiu kishte kërkuar nga KGJK-ja që të përfundonte procedurat lidhur me dorëheqjet. Në korrik, një mbledhje e Këshillit dështoi për mungesë kuorumi, ndërsa çështja vazhdoi të mbetet në rend dite për shqyrtim.

Edhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti, kishte deklaruar se gjyqtarët që kishin dhënë dorëheqje nuk mund të riktheheshin thjesht me një vendim politik, duke e cilësuar largimin e tyre nga institucionet si pjesë të zhvillimeve të vitit 2022.

Tash, me vendimin e KGJK-së, procedura hyn në një fazë tjetër: propozimet pritet t’i dërgohen u.d. presidentes Haxhiu, e cila ka bërë të qartë se do të veprojë për lirimin e tyre nga detyra.

Të Ngjashme