Lajme

Dosja e Haxhiut në SPAK, pritet rivlerësimi i masës së sigurisë për grupin kriminal

Grupi i Laert Haxhiut që akuzohet për disa  vrasje do të hetohet nga Prokuroria e Posaçme e SPAK.  Do të jetë prokurori Behar Dibra që do merret me dosjen e Haxhiut dhe grupit të tij kriminal.

Bëhet me dije se nesër SPAK po ashtu do t’i drejtohet Gjykatës së Posaçme për rivlerësimin e masave të sigurisë për grupin e Laert Haxhiut.

Laert Haxhiu po gjykohet në Shqipëri për masakrën e Lushnjës në vitin 2017, ngjarje për të cilën më herët janë dënuar me burgim të përjetshëm bashkëpunëtoret e tij Orges Bilbili dhe Anterio Kaloshi.

Kërkesa u bë nga autoritetet shqiptare, e cila pak kohë më parë zbërtheu krimet e bëra nga banda e të shumëkërkuarit Leart Haxhiu, pas dëshmive të bëra nga i penduari i drejtësisë, Artan Tafani.

Ai zbardhi disa nga vrasjet e kryera në Elbasan, Korçë, Lushnje, Tepelenë dhe Greqi. I penduari i Prokurorisë tregoi për vrasjen e Alban Semakut, Çajup Selimit, Albi Bashaliut, Fridmand Xhaferrajt, Lulzim Qorrit dhe Dikens Halilit. Ai tha se Haxhiu ka paguar për disa nga vrasjet Bledar Berberin, Mariglen Topuzin dhe Firdeus Berberin.

Artan Tafani gjithashtu bëri me dije se Doloreza Musabelli, një nga prokuroret e SPAK ishte vënë në shenjëstër të Haxhiut, me qëllim eleminimin fizik të saj apo qoftë dhe njerëzve të afërm të familjes.  Edhe Merita Selimi ish-prokurore në Lushnjë dhe avokati i Lushnjës, Adriatik Doga, ishin në “rrethi ne kuq” të Haxhiut.