Lajme

Dosja e PSRK-së ndaj pesë të dyshuarve në rastin “Reçaku II”

Pesë të dyshuarve që u arrestuan në aksionin “Reçaku II”: Novica Peçinoqeviq, Stanoje Janiçeviq, Borko Paljiq, Sergjan Milisavljeviq dhe Stanko Saviq, Gjykata Themelore në Prishtinë ua ka caktuar masën e paraburgimit.

Sipas kërkesës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës për caktimin e masës së paraburgimit, katër të dyshuarit e parë janë ish-policë të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë (MUP).

Në kërkesën e siguruar nga “Betimi për Drejtësi“, thuhet se në periudhën kohore 1998-1999, gjatë kohës së luftës në Kosovë, në fshatin Reçak, Komuna e Shtimes, me dashje, në bashkëkryerje, në cilësinë e pjesëtarëve Ministrisë së Punëve të Brendshme e njohur si ‘’MUP’’, të dyshuarit kanë shkelur rëndë rregullat e së drejtës ndërkombëtare, përkatësisht nenin 3 lidhur me nenin 147 të Konventës së IV të Gjenevës të datës 12 gusht 1949 dhe Protokollet shtesë I dhe II  të vitit 1977.

Këtë, sipas Prokurorisë, të dyshuarit e kanë bërë duke kryer vrasje, trajtim çnjerëzor, shkatërrim të pasurisë, dëbim masiv dhe spastrim etnik të popullatës civile të nacionalitetit shqiptar të cilët nuk ishin të përfshirë në luftë.

Fillimisht, sipas kërkesës, sa i përket vrasjeve, thuhet se më 15 janar 1999, në fshatin Reçak, Komuna e Shtimes, të pandehurit ishin pjesë e aksionit policor të forcave policore serbe, me ç’rast morën pjesë dhe kontribuuan në vrasjen e 42 civilëve të fshatit Reçak.

Përmes njësive të tyre, thuhet se rreth orës 06:00 të mëngjesit e rrethuan fshatin Reçak, fillimisht e granatuan nga distanca prej disa vendeve të njohura si: “Pishat”, “Gështenjat”, “Çesta” dhe “Guri i Shpum”, pastaj me automjete të blinduara, hynë në fshat dhe filluan të kontrollonin shtëpi për shtëpi.

Në kërkesë thuhet se me këtë rast, në oborrin e shtëpisë së Rashit Rashititc fillimisht e vrasin Banush Kamerin të cilit pastaj edhe ia presin  kokën. E pastaj, në vendin e quajtur ‘’Vrella’’  i vrasin Haki Metushin, Sabri Sylën dhe Arif Metushin.

Tutje, thuhet se në oborrin e shtëpisë së tij e vrasin Ahmet Mustafën dhe fqinjin e tij- Hajriz Jakupin. Ndërkaq, në afërsi të shtëpisë së Zuk Mustafës i vrasin: Skender Halilin, Hanumshahe Mujotën, e vazhdojnë në drejtim të lagjes ‘’Beqaj’, dhe derisa disa civilë po largoheshin në drejtim të malit, u del në pritë policia serbe e cila pa paralajmërim shtie me armë zjarri në drejtim të tyre duke i vranë: Halim Beqirin, Riza Beqirin dhe Zenel Beqirin, kurse mbetën të plagosur Aziz Beqiri, Zuhra Beqiri dhe Fetije Beqiri.

Gjithnjë sipas Prokurorisë, në vazhdim të operacionit të tyre policor dhe ushtarak, hynë në Lagjen ‘’Emini’’ e cila gjendej në pjesën perëndimore të fshatit ku me armë zjarri në oborrin e tij e plagosën në këmbë Ismet Eminin dhe e vranë vëllanë e tij Ajet Emini- që të dytë civilë.

Më pas, sipas Prokurorisë, në vendin e quajtur ‘’Çeshma’’ i vranë civilët Bajram Mehmetin, vajzën e tij Hanumshahe Mehmetin, ndërsa të plagosur mbetën: Elhami Mehmeti, Makfirete Hajrizi, Florije Hajrizi dhe Hasan Bilalli.

Në një pjesën tjetër të fshatit, Prokuroria thotë se nga largësia prej shtëpisë së Ragip Bajramit dhe dyqanit së Lutës (siç e quajnë fshatarët) gjuajnë me armë të kalibrave të ndryshëm në drejtim të vendit ku ishin strehuar civilët dhe në këtë moment e vrasin plakun Nazmi Imeri, në mënyrë mizore duke i la thyer kafkën, siç përshkruhet në raportin e autopsisë.

PSRK thekson se nga ky operacion i forcave policore serbe, u vranë mizorisht 42 civilë, të të dy gjinive, të moshave të ndryshme, të nacionalitetit shqiptar, të cilët nuk ishin të përfshirë në luftë.

Në pikën dy të kërkesës, përshkruhen tortura dhe trajtimi çnjerëzor ndaj popullsisë civile. Aty thuhet se me datë 15 janar 1999, në fshatin Reçak, të pandehurit e lartcekur në cilësinë e pjesëtarëve të forcave policore serbe, me dashje dhe në bashkëkryerje, morën pjesë dhe kontribuan në trajtimin çnjerëzor të rreth 30 civilëve të fshatit Reçak.

Kurse, thuhet se gjatë kontrollit shtëpi për shtëpi vërejtën që në shtëpinë e Sadik Osmanit, në të paktën dy vende, ishin strehuar rreth 70 banorë civilë shqiptarë.

Më tej, thuhet se rreth 30-40 policë hynë në oborr të shtëpisë, që të gjithë të armatosur, pastaj nën kërcënimin e armëve i detyruan të gjithë burrat të dalin nga vendstrehimi dhe të vendosen në oborr, ndërsa gratë dhe fëmijët i mbyllën me çelës në bodrum, më pastaj pasi i kanë legjitimuar burrat, i kanë shtrirë për toke dhe filluan t’i rrahin në mënyrë çnjerëzore duke përdorur kondakët e armëve, shqelma, dru, zinxhirë dhe gjësende tjera të forta.

Në pikë tre të kërkesës, flitet për shkatërrimin e pasurisë së popullsisë civile. Aty thuhet se forcat policore ushtarake serbe ku bënin pjesë dhe të pandehurit, me dashje dhe në bashkëkryerje, morën pjesë dhe kontribuan në shkatërrimin e pasurisë së popullsisë civile të fshatit Reçak.

Fillimisht, thuhet se e rrethuan fshatin Reçak në tre drejtime nga vendet e quajtura “Pishat”, “Gështenjat” dhe “Çesta”, pastaj nga distanca e granatuan me të gjitha mjetet ushtarake dhe në fund me automjete të blinduara hynë në fshat dhe kontrolluan shtëpi për shtëpi.

Më pastaj, sipas PSRK-së, nga distanca e granatuan me të gjitha mjetet ushtarake dhe në fund me automjete të blinduara hynë në fshat dhe kontrolluan shtëpi për shtëpi, ashtu që banorët e strehuar i nxorën nga shtëpitë e tyre kurse shtëpive ua vunë zjarrin duke i djegur të gjitha shtëpitë, me ç’rast e shkatërruan të gjithë pasurinë e paluajtshme dhe të luajtshme.

Pika katër flet për dëbimin e popullsisë civile. Aty thuhet se të pandehurit me dashje dhe në bashkëkryerje, morën pjesë dhe kontribuannë dëbimin e popullsisë civile të fshatit Reçak të cilët nuk ishin të përfshirë në luftë, ashtu që fillimisht e rrethuan fshatin Reçak në tre drejtime nga vendet e lartpërmendura, pastaj nga distanca e granatuan me të gjitha mjetet ushtarake, më pas me automjete të blinduara hynë në fshat dhe kontrolluan shtëpi për shtëpi.

Andaj, sipas kërkesës, pas kësaj banorët e strehuar i nxorën nga shtëpitë e tyre, i ndanë burrat nga gratë dhe fëmijët, këta të fundit i detyruan të largohen nga fshati, ndërsa burrat e ndaluar i vranë në mënyrën e përshkruar në pikën 1 të dispozitivit, me ç‘rast rreth 20 mijë civilë të fshatrave Reçak, Topill, Petrovë, Kraishtë, Mullapolc, Dremjak, ishin dëbuar nga shtëpitë e tyre.

Prandaj, pesë të pandehurit dyshohen se kanë kryer veprën penale “Krim i luftës kundër popullsisë civile” e sanksionuar me nenin 142 lidhur me nenin 22 dhe 30 të Ligjit Penal të ish Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë (tutje ‘’ LP i RSFJ-së ’’)  si ligj në fuqi në kohën e kryerjes së veprës penale, aktualisht e paraparë si “Krim kundër njerëzimit”, e sanksionuar me nenin 143 lidhur nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Sipas Prokurorisë, bazuar në provat e administruara gjatë fazës preliminare të hetimit, siç janë: analizimi i materialeve video, identifikimi nga ana e qytetarëve si dhe në të dhënat operative dhe dëshmitë e mbledhura, konstatohet se të pandehurit kanë kryer veprën për të cilën dyshohen.

Ndryshe, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës më 30 dhjetor 2025 ka ngritur aktakuzë, me propozim për gjykim në mungesë, ndaj 21 personave të cilët i akuzon për veprën penale “Krim i luftës kundër popullsisë civile”, konkretisht për masakrën e Reçakut. Ata akuzohen për vrasjen e 42 civilëve më 15 janar 1999. Aktakuza përshkruan vrasjet mizore, trajtimin çnjerëzor, dëbimet dhe shkatërrimin e pasurisë së civilëve.

Sipas aktakuzës së siguruar nga “Betimi për Drejtësi“, të akuzuar në këtë rast janë: Obrad Stevanoviq, Radomir Markoviq, Krsman Jeliq, Goran Radosavljeviq, Zhivko Trajkoviq, Bogoljub Janiqeviq, Milan Leçiq, Radomir Mitiq, Dragan Gjorgoviq, Branko Mladenoviq, Dragan Jasoviq, Momqilo Sparavalo, Darko Amanoviq, Srboljub Vujnoviq, Bozhidar Marinkoviq, Zoran Stanojeviq, Milan Josanoviq, Goran Petkoviq, Dragoslav Nikoliq, Çedomir Aksiq dhe Zvonimir Janiqijeviq.

Të Ngjashme