Brenda pak ditësh, organet e drejtësisë dhe hetuesisë trajtuan disa raste që ndërlidhen me krime të luftës të kryera në Kosovë.
Nga Gjykata Themelore në Prishtinë, Shaqir Lutvija mori dënim me 10 vite burg për krime lufte në Prizren, kurse po kjo Gjykatë vendosi ta rihapë çështjen ku për krime lufte akuzohet Millorad Gjokoviq.
Në duart e drejtësisë, përfunduan edhe dy të dyshuar për krime lufte.
Gjithë këto veprime nga ana e hallkave të drejtësisë, vlerësohet si punë e cila do të mund të shfrytëzohej edhe për padinë për gjenocid ndaj Serbisë.
“Aktivizimi i drejtësisë për t’i trajtuar këto raste është një shenjë e mirë që krimet e luftës gradualisht po marrin një epilog përfundimtar për gjitha krimet e kryera. Dhe natyrisht, mbi bazën e kësaj Kosova akoma nuk e ka të drejtën sepse nuk jemi pjesë e mekanizmave ndërkombëtarë që të hartojë dhe të përgatisë një padi për krime lufte dhe gjenocid, që do duhej të bëhej”, tha Nrecaj.
Së fundi kanë filluar edhe gërmimet në një zonë në Zubin Potok ku dyshohet për varrezë masive.
Në këtë rrafsh, sa i përket personave të zhdukur, konsiderohet se duhet më shumë punë dhe rezultate nga ana e ekzekutivit.
“Përmes këtyre akuzave të bazuara, të cilat janë edhe në monitorim ndërkombëtar, vërtetohet se ata të dyshuarit, pastaj të akuzuarit dhe të dënuarit, kanë marrë pjesë aktivitisht në vrasjen e civilëve…Sa i përket Prokurorisë Speciale, Gjykatës, Departamentit Special për krime lufte, ka pasur suksese në vitet e fundit, që nuk është meritë e Qeverisë asessi. Ndërsa, sa i përket personave të zhdukur, negociatave në Bruksel dhe hapjes së arkivave serbe dhe presionit ndërkombëtar serioz, ka dështuar Qeveria deri më tani”, u shpreh Smakiqi.
Krahas këtyre rasteve, ka edhe gjykime që janë duke u zhvilluar në mungesë të të akuzuarve, sikurse është rasti i masakrës së Reçakut.
