Lajme

Haxhiu për kërkesat për dorëheqjen e Sveçlës dhe Gërvallës pas vrasjes së Arlinda Zekajt: Cila është përgjegjësia e

Kryeparlamentarja Albulena Haxhiu ka kërkuar hetim të përgjegjësisë së prokurorëve, gjyqtarëve dhe zyrtarëve policorë që janë marrë me rastin e Arlinda Zekajt, e cila u vra në Vitomiricë të Pejës, pasi paraprakisht kishte kërkuar mbrojtje nga institucionet.

Duke folur në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës, Haxhiu tha se fjalët e viktimës, e cila kishte paralajmëruar për rrezikun me të cilin përballej, sot marrin një kuptim tragjik.

“Fjalët e gruas e cila u vra dje duke pritur mbrojtjen e shtetit sot tingëllojnë si paralajmërim tragjik që nuk arritëm ta parandalonim”, deklaroi Haxhiu.

Ajo theksoi se duhet të shqyrtohen veprimet e institucioneve përgjegjëse dhe të zbardhet nëse ka pasur mangësi në trajtimin e rastit para vrasjes së Zekajt.

Gjatë fjalës së saj, kryeparlamentarja foli edhe për kërkesat për dorëheqjen e ministres së Drejtësisë, Donika Gërvalla, dhe ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, duke kundërshtuar që përgjegjësia për rastin t’u atribuohet drejtpërdrejt këtyre dy ministrave pa u shqyrtuar roli i institucioneve dhe zyrtarëve të përfshirë.

“Ç’faj ka ministrja Gërvalla ose ministri Sveçla nëse Ministria e Drejtësisë dhe Ministria e Punëve të Brendshme i kanë adresuar legjislacionin dhe mekanizmat që i kanë në dispozicion?”, tha Haxhiu.

Ajo ngriti gjithashtu pyetjen se cila është përgjegjësia konkrete e dy ministrave në këtë rast.

“Cila është përgjegjësia që ka këtu ministrja e Drejtësisë apo ministri i Punëve të Brendshme?”, u shpreh ajo.

Haxhiu theksoi se Kuvendi dhe institucionet përgjegjëse duhet të përqendrohen në identifikimin e mangësive dhe në përmirësimin e mekanizmave që synojnë mbrojtjen e personave që përballen me dhunë dhe rrezik për jetën.

Sipas saj, qëllimi duhet të jetë që rastet e tilla të mos përsëriten dhe që institucionet të reagojnë me kohë ndaj paralajmërimeve për rrezik.

Ajo u bëri thirrje deputetëve që të angazhohen për korrigjimin e mangësive të mundshme dhe për funksionimin efektiv të mekanizmave të mbrojtjes.

“Mangësitë e konstatuara të korrigjohen dhe mekanizmat e mbrojtjes të funksionojnë”, theksoi Haxhiu.

Vrasja e Arlinda Zekajt ka nxitur debat në Kuvendin e Kosovës për reagimin e institucioneve, përgjegjësinë e zyrtarëve dhe efektivitetin e mekanizmave të mbrojtjes për gratë që raportojnë rrezik ndaj jetës së tyre.

Të Ngjashme